Shqipëria u rrit 4.1%. Komisioni Europian: Borxhi zbriti në 67.1%

Komisioni Europian deklaroi se ekonomia shqiptare u rrit me 4.1% gjatë vitit të kaluar falë zgjerimi të konsumit dhe rritjes së investimeve private.

170
Shqiperi, Tirana

Në raportin 3-mujor për ecurinë ekonomike të vendeve kandidate, komisioni vëren se ky është viti i pestë radhazi që rritja ekonomike e Shqipërisë përshpejtohet duke gjallëruar edhe tregun e punës: “Papunësia totale në Shqipëri zbriti në 12.6 për qind, ndërsa papunësia e të rinjve, edhe pse mbetet e lartë, është ulur në 23 për qind nga 34 për qind që ishte 3 vjet më parë”.

Komisioni parashikon se rritja ekonomike e Shqipërisë do të mbetet ndër më të lartat në rajon edhe gjatë dy viteve në vijim. Sipas raportit, prodhimi kombëtar për 2019-2020 pritet të zgjerohet mesatarisht me 3.9 për qind në vit i mbështetur nga rritja e konsumit të familjeve dhe investimet e biznesit.

Ekspertët e komisionit vlerësojnë se kjo ecuri do të shëndoshë më tej financat publike duke konsoliduar uljen e borxhit: “Borxhi publik i Shqipërisë zbriti në 67.1 për qind vitin e kaluar nga 70 për qind që ishte në 2017. Në buxhetin e ri qeveria parashikon se këtë vit borxhi do të ulet më tej në 65.5 për qind e Prodhimit Kombëtar”.

Por, pavarësisht zhvillimeve pozitive, Komisioni Europian vëren se borxhi publik i Shqipërisë mbetet ende i lartë. Ndaj, ai i ka rekomanduar qeverisë të vazhdojë politikën e konsolidimit fiskal dhe reformat strukturore si rruga më e mirë për të ulur risqet dhe për të mbështetur rritjen ekonomike.

Advertisement

Top Channel