Arti Gjeometrik në Islam: Një Bisedë me Artistin Eric Broug

664
A Teaspoon of (لیمون) Zest

Kompozimi i formave gjeometrike është ndoshta forma më e njohur e artit islam – ai shfaqet kudo, nga xhamitë te ndërtesat qeveritare, e deri në letra. Edhe pse arti gjeometrik e ka origjinën tek grekët e lashtë, pjesa më e madhe pajtohen se kjo formë tradicionale e artit gjeometrik islam zuri fill në Afrikën e Veriut në shekullin e nëntë, duke dalë në pah në format dhe kompozimet e thjeshta në Xhaminë e Madhe të Kairouanit në Tunizi. Shpeshherë format shfaqen komplekse, por mund të krijohen me një vizore të thjeshtë, laps dhe kompas.

Që atëherë, këto forma janë shfaqur në një mori materialesh, përfshirë qeramikën, drurin, gurin, qilimat, lëkurën, xhamin e ngjyrosur dhe sigurisht letrën. Eric Broug, me origjinë hollandeze por që aktualisht jeton në Mbretërinë e Bashkuar, është një prej ekspertëve kryesorë në kompozimin e modeleve gjeometrike islame. Ai ka një Master në historinë e artit dhe arkitekturës islame nga School of Oriental and African Studies, Londër.

Është themelues i Ateliesë Broug të Artizanatit, Artit dhe Arkitekturës Islame në Jorkshajr, që krijon art islam bashkëkohor. Ai ofron trajnime në art dhe mban seminare të rregullta nëpër botë. Ka botuar tre libra në këtë fushë – i fundit prej të cilëve titullohet Islamic Design Workbook. Ju mund të shihni edhe këtë video nga TEDed rreth kompozomit gjeometrik Islam që ua rekomandoj së tepërmi.

Këto kohë pata mundësinë ta takoj Eric Broug dhe e pyeta atë për artin dhe frymëzimin e tij.

  • Çfarë ju frymëzoi t’i futeni kompozimit gjeometrik Islam?
Advertisement

Interesi im për kompozimin gjeometrik islam nisi kur isha student i politikës së Lindjes së Mesme në Universitetin e Amsterdamit. Arrita të kuptoj se megjithë faktin se politika ishte interesante, ajo nuk ishte edhe aq interesante dhe unë doja të gjeja diҫka që do të ma mbante mendjen dhe zemrën të zënë përgjatë gjithë jetës.

Kështu që, e lashë universitetin dhe për pak kohë gjeta një libër rreth kompozimit gjeometrik islam (Arabic Geometrical Pattern & Design nga Jules Bourgoin). E kuptova që ai ofronte një horizont krejt të ri për mua: ishte art, histori, trashëgimi dhe krijimtari. Por kuptova gjithashtu se nëse do doja ta ndiqja këtë si alternativë  karriere bashkëkohore, duhet ta bëja me përkushtim të plotë. Jo si një hobi, por si një profesion.

  • Çfarë gjëje është unike në këtë art krahasuar me artet e tjera Islame si kaligrafia?

Besoj se është mënyra se si ai gëzon një tërheqje universale dhe ndoshta është edhe aspekti më i dallueshëm i kulturës pamore islame. Gjeometria është një gjuhë universale dhe kompozimi gjeometrik u bën jehonë ose u flet njerëzve, pavarësisht moshës, origjinës, etj.

E shoh këtë gjatë gjithë kohës në studiot e mia. Njerëzit, afërmendsh, e vlerësojnë bukurinë e kompozimit gjeometrik Islam, por ndriçuese është edhe aftësia që ata mund të zhvillojnë për ta ‘lexuar’ dhe kuptuar atë. Sigurisht, përgjigjja ime është e njëanshme për shkak të pasionit tim për kompozimin gjeometrik islam, ndonëse unë jam i interesuar për të gjitha aspektet e artit islam.

  • Përse duhet ta mësojë dikush këtë art dhe sa të vështirë e kanë fillestarët për ta mësuar atë?

Nuk është i vështirë, jo në mënyrën që unë ua mësoj atë. Nëse dini të vizatoni rrathë dhe vija, ju mund t’ia dilni. Mjeshtërit që i kanë bërë këto modele përgjatë shekujve nuk ishin matematikanë. Ata i bënin gjërat me duar dhe mjetet e tyre kryesore u jepnin mundësi të vizatojnë vija dhe rrathë.

Bindja ime është se nëse ata ishin në gjendje të krijonin gjithë këto modele të ndërlikuara thjesht përmes rrathëve dhe vijave, edhe ne duhet të jemi në gjendje ta mësojmë këtë gjë.

Përse duhet ta mësojë dikush këtë? Është mirë t’i bësh gjërat me duart e tua. Ndonëse në ditët tona, kompjuterët dominojnë një pjesë të madhe të produkteve tona, është mirë të ulesh në tavolinë me një kompas dhe një vizore dhe të krijosh diҫka. Duke i vizatuar këto modele, lidhesh edhe me trashëgiminë e kompozimit, jo thjesht duke i parë, por duke bërë diҫka.

  • Cili është procesi i krijimit të kompozimeve?

Për vite me radhë, unë i kam kushtuar orë të tëra ҫdo ditë përpjekjes për t’i shpërbërë këto modele me qëllim që t’i rindërtoja. Kjo ka ndikuar mënyrën si ua mësoj të tjerëve këto modele në librat dhe trajnimet e mia.

Unë akoma marr shumë kënaqësi nga përpjekja për t’i paraqitur këto modele shekullore në mënyra të reja, si t’i përkisnin shekullit të njëzetenjëtë, jo si diҫka nga e kaluara. Është e rëndësishme të kuptojmë se këto modele nuk janë vija të zeza mbi një sfond të bardhë.

Ato janë formë arti dhe mënyrat e ndryshme si ato janë stolisur janë pjesë e pandashme e kësaj trashëgimie kompozimi. Kësisoj, sfidat e mia të krijimtarisë janë: si mund t’ua mësoj të tjerëve këtë model në mënyrën më të thjeshtë e me më pak hapa, dhe si mund ta paraqes këtë model në një mënyrë të re.

  • Këshilla juaj për studentët e interesuar të hyjnë në këtë art.

Duhet të gjeni kënaqësi në këtë proces. Nuk ka të bëjë vetëm me rezultatet. Procesi i vizatimit të këtyre modeleve dhe përmirësimi në punë e sipër është vendi ku mësohet. Veҫanërisht në fillim, bëjini vizatimet me dorë, jo me kompjuter.

Te të mësuarit për të vizatuar këto modele në të njëjtën mënyrë që është vepruar për shekuj me radhë, fshihet një vlerë e madhe. Kompjuterët janë gjithnjë 100 për qind të saktë, ndërsa vizatimi i modeleve me dorë nuk është kurrë 100 përqind i saktë, por këtu mund të mësoni më shumë.

Si ndaj ҫdo gjëje, përkushtohuni, dedikojuni dhe jepini kohë. Shumë njerëz që blejnë librat e mi apo vijnë në trajnimet e mia kanë familje, fëmijë të vegjël, punë, etj. Këshilla ime është të krijoni një hapësirë të vogël në shtëpinë tuaj ku mund të uleni dhe ku të gjithë gjërat që ju nevojiten janë gati duke ju pritur.

Kështu që kur keni një orë të lirë, mund të filloni menjëherë pa patur nevojë të përgatisni vendin si fillim.

Anika Arshad

Përktheu: Vehap Kola

Burimi: islamitradicional