Banka Qendrore e Turqisë do ta mbështes Bankën Qendrore të Kosovës

Në këtë takim, guvernatori Mehmeti informoi guvernatorin Çetinkaya lidhur me zhvillimet në ekonominë, veçanërisht në sistemin financiar të Republikës së Kosovës

114

Në këtë takim, guvernatori Mehmeti informoi guvernatorin Çetinkaya lidhur me zhvillimet në ekonominë, veçanërisht në sistemin financiar të Republikës së Kosovës, duke potencuar stabilitetin makroekonomik dhe rolin e rëndësishëm të sistemit financiar në mbështetjen e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë së vendit.

Sipas një komunikate të BQK-së, dy guvernatorët diskutuan rreth bashkëpunimit ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë, duke shprehur përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat e përbashkëta.

“Me kërkesë të guvernatorit Mehmeti, guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë u zotua për ta mbështetur anëtarësimin e BQK-së në Klubin e Guvernatorëve për Azinë Qendrore, Rajonin e Detit të Zi dhe vendet e Ballkanit. Anëtarësimi i BQK-së në këtë klub paraqet një mundësi të mirë për përforcimin dhe thellimin e bashkëpunimit me vendet anëtare, derisa mbështetja e Turqisë në këtë proces është shumë domethënëse, duke marrë parasysh faktin se Banka Qendrore e Republikës së Turqisë është njëra ndër bankat qendrore themeluese të këtij klubi”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Guvernatori Mehmeti shprehu edhe një herë mirënjohjen ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin me zotimin, që niveli i bashkëpunimit mes dy bankave qendrore do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen.

Advertisement