Basha: Qeveria të kthejë bizneset e vogla në normalitet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka konstatuar përkeqësimin e gjendjes ekonomike për bizneset e vogla gjatë krizës së koronavirusit, ndërsa i ka kërkuar qeverisë kthimin e tyre në normalitetit. Zoti Basha u takua të hënën me disa biznese në zonën e Bërrylit dhe Xhamllikut, të cilët i thanë se pagesa shumë e vogël e dhënë nga qeveria, është e pamjaftueshme për të mbyllur shpenzimet e muajit. “Duhet t’i kthehemi një orë e më parë normalitetit dhe më e rëndësishmja është t’ju mbështesim ju, se po nuk mbështetëm biznesin do të shkatërrojmë ekonominë, do të shkatërrojmë gjithçka” tha zoti Basha.
Tregëtarët i kanë kërkuar kreut të opozitës të ndikojë që bizneset të mos mbyllen në fundjavë. “Të mos na e mbyllë të shtunën e të dielën. Njerëzit që janë në punë dalin për të blerë të shtunë e të dielë. Pandemia është ose gjatë gjithë kohës ose nuk është fare, kështu që është non sens kjo” tha pronarja e një biznesi të vogël. “Kjo është totalisht e paligjshme. Këta e kanë mendjen vetëm të zhvasin e të marrin, sikur nuk do të ketë të nesërme. Kështu që ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë të mos e lejojmë këtë” tha zoti Basha. Kreu i opozitës i inkurajoi bizneset e vogla të rezistojnë dhe së bashku të bëjnë ndryshimin që i duhet familjeve shqiptare dhe vendit./tvsh