Copëtimi si faturë e një politike indiferente

143

Shkruan: Latif Mustafa 

Diskutimi rreth historisë dhe historiografisë shqiptare duket qartë të jetë ndër temat më galvanizuese në opinionin publik shqiptar. Një gjë e tillë ndodh për faktin që narracioni i historiografisë dhe interpretimeve të ndryshme mbi historinë konsiston në faktin që kombi, si entitet politik dhe social, fatin e tij e ka të lidhur ngushtë me trajektoren historike. Me një fjalë, historia i ka shërbyer popullit shqiptar. Historia e popullit, si komunitet politik, i prin historisë së shtetit si instancë politike. Rrjedhimisht, dekonstruktimi ose zhbërja e narracionit historik shqiptar, si luftë e një kombi për mbijetesë, e imponon idenë e nënkuptueshme edhe të “zhbërjes” së vetë kombit si të tillë.

Një ndër temat më të debatuara historike është edhe rënia e Perandorisë Osmane dhe dalja e kombeve dhe shteteve ballkanike, ngjashëm siç u shfaq ose, siç historiografia shqiptare e shënjon, si rizgjim kombëtar. Një shënjim i tillë e imponon idenë e një populli ose etnie potencialisht politike të fjetur, që tashmë e ka kapur momentin e rizgjimit pas një gjendje të përgjumur shumë shekullore. Mirëpo, shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar mbase ua dha ose, të paktën, sot të gjithë neve po na e jep leksionin e real-politikës dhe çmimin e të qenit i dobët dhe se përputhja e parimit kombëtar me shtrirjen territoriale kërkon një sforcim modern dhe pikëpamje tjetër për popullin, tokën dhe gjenocidin.

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me në krye Ismail Qemalin, shteti shqiptar do të gjendet para një lufte të tmerrshme shfarosëse, Lufta Ballkanike, e cila – përpos një kostoje të lartë njerëzore – pati një kosto të madhe financiare dhe e rrënoi ekonominë e shteteve të dobëta të Ballkanit. Shteti shqiptar u përfshi në një kaos të madh ekonomik dhe politik. Këtij kaosi do i vijë fundi kur në pushtet ngjitet Ahmet Zogu si kryeministër dhe, më pastaj, do të shërbej si mbret deri në vitin 1939. Por, Konferenca e Paqes në Versajë tashmë kishte ndodhur dhe, përfundimisht, shqiptarët e paguan faturën më të rëndë politike. Për të ruajtur diçka të vogël dhanë diçka më të madhe. Rrjedhimisht, Shqipëria mbeti ndër vendet e rralla që në të gjitha anët kufizohej me kombin, me popullin e tij.

Mbretëria Serbe, e cila ishte konsoliduar si mbretëri moderne me të gjitha nishanet, kishte bërë aktin më modern dhe europian të mundshëm. Ajo i kishte kolonizuar tokat e mbetura shqiptare, fillimisht me kolonitë civile së bashku me ushtarët, me uzurpimin e tokës pjellore, me krijimin e rendit policor dhe ushtarak e me vrasjen e popullatës indigjene dhe, më vonë, me shpërnguljen e saj në disa etapa. Kjo ishte forma se si mbretëritë europiane vepronin në tokat e kolonizuara në ish tokat e Perandorisë Osmane në Levant e që, më vonë, do të quhet Lindje e Mesme, në Afrikë dhe në Lindjen e largët. Çmimi i pavarësisë së Shqipërisë, gjegjësisht vonesës së saj në këtë ndërmarrje, rezultoi me kolonizim, shpopullim dhe asimilim.

Fillet e shtetit të Shqipërisë shpesh tentohet të krahasohen me ato të Kosovës. Sado që Kosova e kishte më të lehtë se Shqipëria, në kuptimin që Kosova e kishte një Shqipëri, qoftë si arketip, qoftë si mbështetje dhe Shqipëria nuk kishte në Shqipëri, megjithatë që të dyja i ndjek fati i njëjtë rreth përbrendësimit të politikërbërjes: “Jep dhe shpëto”. Në kohën kur Shqipëria u themelua si shtet, konstelacioni ndërkombëtar ishte kundër Shqipërisë, por në rastin e Kosovës shteti i Serbisë e nisi procesin e stërzgjatur të bisedimeve, me qëllim të pritjes së ndryshimit dhe zhvendosjes së ekuilibrave të fuqive ndërkombëtare, me ç’rast nuk mund të thuhet se Kosova e gëzon të njëjtin reputacion ndërkombëtar si më parë, po ashtu edhe Serbia.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë pritet të vendosin një qeveri, e cila do të pranojë copëtimin territorial si faturë politike, e cila përmes një zhvendosje interpretimi do të interpretohet si “normalizim bilateral” dhe jo njohje reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe kjo, normalisht, që është shumë larg idesë së korrigjimit ose bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën. Në anën tjetër, Shqipëria për të cilën dhamë shumë, ndodhet në një kaos politik, si sa herë kur Kosova ndodhet pranë vendimeve të mëdha. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në këto momente, janë të pafuqishëm dhe të ngulfatur në krim e korrupsion, si dhe të konsumuar në moralitetin kombëtar si parim mobilizimi dhe rezistence. Mobilizimi i përgjithshëm kombëtar rreth çështjes së finale të Republikës së Kosovës për mospërsëritje të një Shqipërie të dytë është imperativ i kohës. Por, si duket jemi shumë vonë!