Dy dekada histori për euron!

198

Në Janar 2019 Euro mbush 20 vjeç. Tashmë “në moshën e pjekurisë”, ajo është valuta e dytë më e madhe në botë. Pas 2 dekadash të kritikave të vazhdueshme dhe projeksioneve për dështim, valuta e përbashkët europiane ka jetuar më gjatë se ç’parashikonin disa prej pesimistëve më të mëdhenj, kur u krijua në vitin 1999. Pavarësisht të gjitha të metave të dokumentuara dhe kritikave të mëdha ndaj Unionit Monetar Europian, euro ka kaluar 2 dekada me 3 arrite të rëndësishme. Fillimisht, sondazhet tregojnë se ka fituar mbështetje të madhe publike gjatë këtyre 20 viteve. Së dyti, qeveritë e disa prej vendeve me më shumë borxh të Eurozonës, kanë kursyer triliona euro për shkak të uljes së kostove të huamarrjes. Së fundmi, Banka Qendrore Europiane ka qenë shumë më fleksibël dhe inovatore përballë krizave financiare, sesa prisnin edhe mbështetësit më të mëdhenj të vetë institucionit kur u projektua në fund të viteve 90.

Ndërkohë që këto përfundime  periudhat e vështirësive dhe të ndërhyrjeve, ato përbëjnë një testament për jetëgjatësinë dhe aftësisë përshtatëse të një sistemi, që shumë persona, përfshirë nobelistin amerikan Milton Friedman, mendonin se është shumë i ngurtë për t’i bërë ballë recesionit të parë. Në vitin 2010, vit ku Greqia dhe Irlanda morën paketën e parë të ndihmave ndërkombëtare prej miliarda euro, vetëm 51% e të anketuarve nga sondazhi vjetor i Komisionit Europian, mendonin se euro është pozitive për vendin e tyre. Sondazhi i vitit 2018, i publikuar në muajin Nëntor, tregoi se 64% e të anketuarve në të gjithë Eurozonën argumentonin se euro është pozitive për vendin e tyre dhe thuajse 75% thanë se është pozitive për të gjithë Europën. Këto janë nivelet më të larta të suportit, që kur Komisioni Europian nisi të ndërmarrë sondazhet në vitin 2002. Vetëm në 2 vende, Lituani dhe Qipro, shumica e njerëzve pjesëmarrës në sondazh mendonin se euro është diçka negative për vendin e tyre.

Një rast të veçantë përbën Greqia. Pavarësisht krizës së thellë ekonomike dhe dëmit social që shkaktuan kushtet e ashpra të kredisë së shpëtimit, 60% e grekëve thanë në sondazhin e vitit 2018 se euro është diçka pozitive për vendin dhe 71% e mendonin këtë për të gjithë Europën. Qasja në Itali është përmirësuar gjithashtu.  Ekonomia italiane ka qenë “anemike” prej vitesh. Vendi mban nivelin e tretë më të madh të borxhit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto në botë dhe qeveria aktuale populiste ka kërcënuar gjatë fushatës, me dalje nga Eurozona. Megjithatë, 57% e italianëve mendojnë se euro përbën diçka pozitive për vendin dhe 68% e mendojnë këtë për të gjithë Europën, sipas sondazhit të Komisionit Europian. Në sondazh, 69% e 17,589 personave të anketuar në 19 vendet e valutës së përbashkët,  bënë të ditur në përgjigjen e tyre se favorizonin një koordinim më të thellë ekonomik në rajon, përfshirë këtu politikat buxhetore. Vetëm 7% argumentuan se duhet të ketë më pak koordinim ekonomik. Bashkëpunimi më i madh fiskal mes 19 shteteve do të kërkojë vite madje edhe dekada, për të bërë progres të dukshëm.

Në vitet e hershme të ekzistencës, Banka Qendrore Europiane është goditur shpesh nga të dyja anët, pasi është kritikuar vazhdimisht për mbajtjen e inflacionit pranë 2%, si dhe është quajtur përgjegjëse për “inflacionin e fshehur” pas prezantimit të banknotave dhe monedhave në vitin 2002. Krahasuar me bankat e tjera qendrore që kanë drejtuar ekonomi të vetme ndër dekada, madje edhe shekuj, procesi i politikëbërjes i Bankës Qendrore Europiane është kritikuar shpesh për ngadalësinë, ngurtësinë dhe mospërshtatjen. Në më pak se 2 vite pasi euro u prezantua, ku qëndronte në 1.1747 dollarë, valuta humbi thuajse 30% të vlerës dhe arriti në 0.8240 kundër dollarit amerikan. Banka Qendrore Europiane, së bashku me banka të tjera qendrore të vendeve të G7, manaxhuan në mënyrë të suksesshme një serë ndërhyrjesh në tregun e këmbimit valutor, për të parandaluar rënien e mëtejshme të euros.

Advertisement