Elif Shafak: Si shkrimtarë ne jemi të hipnotizuar nga fjalët, por ndoshta edhe më shumë, me zbrazëtinë mes tyre

Jam lindur në Strasburg dhe jam rritur për njëfarë kohe në një shtëpi të mbushur me studentë idealistë dhe të lirë. Prindërit e mi, të vendosur për ta rregulluar sistemin kapitalist dhe për të shpëtuar botën, nuk mundën të shpëtonin martesën e tyre, dhe kur ndoqën rrugët e tyre të ndara, nëna ime më solli në Ankara. Turqia mund të jetë toka e nënës sime, por deri atëherë nuk ishte mëmëdheu im. Nga mjedisi bohem i Strasburgut, u gjenda befas në lagjen fetare konservatore të gjyshes sime nga nëna

1198
Elif Shafak*

“Je duke e shqiptuar gabim,” më thotë djali im dhjetëvjeçar. “Shqiptohet s-qui-rr-el!’ [1]Duke e mbajtur kokën lart, si ai boksieri që e di se ndeshja nuk do të përfundojë mirë, por e ka ndarë mendjen ta marrë goditjen e radhës në nofull, e provoj edhe një herë tjetër. “Skoowerrrr.”Kuptoj se kam harruar shqiptimin e “i-së” në fund të fjalës, kështu që marr frymë thellë dhe shtoj me nxitim: “eeee-L”. Im bir tund kokën. “S’e besoj se nuk arrin ta shqiptosh si duhet. Është kaq e thjeshtë!” Epo, nuk mund të besoj se anglishtja e Mbretëreshës ka quajtur një kafshë kaq lojcake me një emër që ka një grumbull të pafund bashkëtingëlloresh, emër të cilin unë, ka gjasa që nuk do të mund ta nyjëtoj dot dhe sikur të më duhet një jetë për këtë.

Gjuha e parë e tim biri është anglishtja. I arsimuar në Britaninë e Madhe, anglishtja është gjuha e tij e natyrshme. Ndryshe nga ai, unë kam shtegtuar në këtë gjuhë deri diku vonë në jetë, dhe e mbart të qenit e huaj si hajmali të varur në qafë. Dhe si shumë “të vonuar” që kanë gjetur, ose sepse ashtu kanë zgjedhur ose prej rrethanave, ekzistencën në një gjuhë tjetër nga gjuha e tyre amtare, e kam më të lehtë t’i përfytyroj fjalët se sa t’i shqiptoj.  Duket sikur mendja është më e shpejtë se gjuha. Asnjëherë nuk bashkrendohen plotësisht, Ky është dallimi mes një folësi të gjuhës amtare dhe një të huaji. Pikërisht hendeku i vogël mes mendjes dhe gjuhës.

Turqishtja është gjuha ime amtare. Duke u rritur, spanjishtja u bë gjuhë e dytë, pastaj erdhi anglishtja. Frëngjishtja qëndron diku në sfond. Franca është vendi ku jam lindur, dhe frëngjishtja është gjuha e parë që kam dëgjuar, por nuk mund ta flas, pasi ika nga vendi në moshë të njomë. Frëngjishtja më ka formësuar me mungesën e saj, si një gjymtyrë fantazmë. Por romanet i shkruaj në gjuhën angleze, në këtë gjuhë i përfytyroj rrëfimet e mia dhe ndihem më mirë se me të gjitha gjuhët e tjera.

Advertisement

Jam rrëfimtare. Jeta ime është në varësi të fjalëve ashtu si është në varësi të ajrit dhe ushqimit. Romanet e para i shkruajtja në turqisht, dhe pastaj, rreth katërmbëdhjetë vjet më parë, hodha një hap në errësirë dhe nisa të shkruaj në anglisht që në dorëshkrim. Nuk ishte vendim racional por as joracional, ndoshta ishte një instikt si ai i kafshës që do të mbijetoj. Kisha nevojë për hapësirë dhe liri, dhe shkrimi në një gjuhë tjetër ma dha pikërisht këtë. Mëmëdheu im Turqia, ishte shumë hijerëndë, po ashtu edhe Stambolli ishte tepër i ndërlikuar. Duke shkruar në anglisht fitova një largësi njohëse, me të cilën ndihesha më e çlirët dhe ndoshta më e guximshme se më parë.

Që atëherë, çdo roman që kam shkruar është përkthyer në turqisht nga një përkthyes profesionist, më pas marr dorëshkrimin dhe e rishkruaj me fjalorin dhe ritmin tim. Nëse kjo ngjan si çmenduri, ndodh sepse ashtu është. Më duhet të shpenzoj gati dy herë më shumë kohë duke menduar për idiomat, fjalitë dhe fjalë që nuk mund të përkthehen. Kështu vërtitem mes gjuhës angleze dhe turke, dy gjuhë që janë aq të ndryshme nga njëri-tjetri si vera e kuqe dhe kefiri.

Duke qenë një shtegtare gjuhësore, pavarësisht sa sfiduese është, më ndihmon ta mbaj veten si tregimtare dhe më jep një liri mendore shtesë, lirinë e shprehjes ndjenjën e përkatësisë që nuk zvogëlohet vetëm në kufijtë kombëtarë. Lidhja me gjuhën time amtare është emocionale. Lidhja me gjuhën angleze është intelektuale. Ndiej se kam nevojë për të dyja për të ekuilibruar veten. Me kalimin e kohës, kam kuptuar gjithashtu se në qoftë se ka melankoli, mall, trishtim në shkrimet e mia, ato i shpreh  më lehtë në turqisht. Por kur vjen puna tek ironia, satira, e kam më të lehtë në anglisht. Fjala “ironi” nuk ekziston as në turqisht.

Kur fillova të botoj librat e mi në anglisht, pati reagime të ashpra negative në Turqi, kryesisht nga nacionalistët. Më quajtën “tradhtare”. Si mund ta braktis një shkrimtare gjuhën e saj amtare, donin të dinin kritikët e mi. Këtë bën nacionalizmi: do të na zvogëlojë në një identitet të vetëm, të pandryshueshëm. Por ne qeniet njerëzore jemi më shumë se kaq. Kjo nuk është as një zgjedhje ose… ose. Është më shumë “edhe …edhe…edhe …” Nëse kur biem të flemë natën, mund të ëndërrojmë në më shumë se një gjuhë, pse nuk duhet të jemi në gjendje të shkruajmë poezitë dhe tregimet tona dhe letrat e dashurisë në më shumë se një gjuhë? Nuk pranoj të kem një identitet të vetëm. Në vend të kësaj, dua të kem përkatësi të shumëfishtë.

Si shkrimtarë ne jemi të hipnotizuar nga fjalët, por ndoshta edhe më shumë, me zbrazëtinë mes tyre. Heshtjet. Ne na tërheqin gjërat për cilat nuk është e lehtë të flasësh në shoqëri në një kohë të caktuar. Sekretet. Tabutë, tabutë sociale, kulturore, seksuale. Ekziston një pjesë e imja që gjithmonë dëshiron të bëjë pyetje rreth këtyre zbrazëtive dhe të nxisë diskutime të reja, ta sjellë periferiken në qendër; ta bëjë të dëgjohet atë që nuk ka zë dhe ta bëjtë padukshmen më të dukshme. Kjo, besoj, është puna e prozatorit: të mos përpiqet të japë përgjigje të mençura, por të bëj ndoshta pyetjet më fëminore dhe më të thjeshta plot kureshtje. Për të tërhequr vëmendjen tek ajo për të cilën heshtet dhe për t’i kushtuar vëmendje heshtjes -Tjetrit.

Mendoj se gjatë gjithë jetës sime jam ndjerë si vetja ime“Tjetër”. Jam lindur në Strasburg dhe jam rritur për njëfarë kohe në një shtëpi të mbushur me studentë idealistë dhe të lirë. Prindërit e mi, të vendosur për ta rregulluar sistemin kapitalist dhe për të shpëtuar botën, nuk mundën të shpëtonin martesën e tyre, dhe kur ndoqën rrugët e tyre të ndara, nëna ime më solli në Ankara. Turqia mund të jetë toka e nënës sime, por deri atëherë nuk ishte mëmëdheu im. Nga mjedisi bohem i Strasburgut, u gjenda befas në lagjen fetare konservatore të gjyshes sime nga nëna.

Në Ankara, shpesh ndihesha si një vendasi huaj. Të gjithë fëmijët e tjerë vinin nga familje të mëdha, patriarkale. Ata kishin vëllezër e motra, kushërinj dhe festonin festat e Bajramit së bashku. Ndërsa unë isha vetëm shumicën e kohës, e rritur  nga nëna ime moderne, perëndimore dhe gjyshja ime shpirtërore, lindore, dy gra që e mbështetën njëra-tjetrën në kohë të mira dhe të vështira, pavarësisht nga personalitetet e tyre jashtëzakonisht të ndryshme. Solidariteti mes tyre ndikoi shumë tek unë. Megjithatë, mendoja se jeta ishte shumë e mërzitshme dhe fillova të kërkoj një derë drejt një bote tjetër. Duhej që ajo derë të ekzistonte diku tjetër.

Në shkollë isha një nga dy fëmijët mëngjarash në klasën me dyzet e katër nxënës. Mësuesja jonë e shihte si problem që duhej korrigjuar. Ajo më udhëzoi të mbaj dorën time të majtë nën tavolinë- si në mërgim. Megjithëse isha vonë për të mësuar se si të shkruaja, isha lexuese e hershme. Lexoja kudo ku mundesha në shtëpi, në shkollë, në pazar. Kur mbaroja një libër, çdo libër, kthehesha në faqen e parë dhe e lexoja përsëri, këtë herë duke imagjinuar se si do ta shkruaja ndryshe po të isha autore e saj. Diku brenda shpirtit tim, era e imagjinatës sime hapi një derë të mbyllur dhe kështu, hap pas hapi, hyra në botën e Vendrrëfimit (Storyland).

Si qenie njerëzore, për të mbijetuar dhe për të lulëzuar, kemi nevojë për një kopsht të brendshëm. Një vend vetjak larg nga të gjithë sytë. Një vend ku mund të shkojmë shpesh dhe lirisht; ku mund të jemi mënjanë dhe të çlirohemi prej të gjitha mendimeve negative dhe ndjenjave të dëmshme, ku lidhim plagët dhe ndërtojmë përsëri veten; një vend ku mund të jemi të vërtetë në zemrat tona, pa gjykuar askënd dhe pa u gjykuar. Për mua, ai vend i bukur diku është Vendrrëfimi (Storyland). Është toka e librave.

Në fund të fundit, nuk ka rëndësi fare se me cilën gjuhë marrim frymë për aq kohë sa vazhdojmë të shkruajmë dhe të lexojmë.

Gjuhët janë thjesht magji. Na pëlqen të mendojmë se ne i formësojmë ato, por në të vërtetë, ato na formësojnë ne. Madje edhe zërat tanë ndryshojnë kur kalojmë nga një gjuhë në tjetrën. Dhe ndërsa unë ende nuk mund të shqiptoj “squirrel” (ketër), jam e zemëruar nga mendimi se askush nuk mund të më pengojë të ëndërroj në këto gjuhë, plot shpresë dhe rendje të çlirët në pyllin e madh të rrëfimeve.

Elif Shafak

_______

*Elif Shafak (1971-) është shkrimtare e njohur turko-britanike, romanciere, eseiste, akademike, folëse publike dhe aktiviste e të drejtave të njeriut e cila aktualisht është lektore në kolegjin St. Anne të Universitetit të Oksfordit.  Shafak është autore e gjashtëmbëdhjetë librave, dhjetë prej tyre romane, ndër të cilët: Bastardja e Stambollit, Dyezetë rregullat e dashurisë dhe Tri bijat e Evës. Librat e saj janë përkthyer në 49 gjuhë dhe është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare.

[1] Squirrel-anglisht “ketër”e shqiptuar “skwər(ə)l”

Burimi: Defekt-Teknik