Facebook i jep të dhëna Kongresit amerikan

Facebook do t’i dorëzojë Kongresit amerikan të dhënat dhe përmbajtjen e mbi 3.000 njoftimeve politike të paguara nga Rusia.

“Nuk dua që instrumentet tona të përdoren për minimin e demokracisë”, shpjegoi themeluesi i rrjetit më të madh social të botës, Mark Zuckerberg. 33-vjeçari u shpreh thellësisht i shqetësuar për procesin demokratik dhe për “mbrojtjen e integritetit” të mekanizmave të tij.

“Do të doja t’iu thoja se do të jemi në gjendje t’i ndalojmë të gjitha ndërhyrjet, por kjo s’do të ishte realiste. Do të ketë gjithmonë aktorë të këqinj në botë dhe ne nuk ua ndalojmë dot të gjithëve hedhjen e mesazheve të tilla. Por mund t’ua bëjmë më të vështirë, e pikërisht këtu do të fokusohemi. Do të zhvillojmë gjithashtu hetime të brendshme, ndërsa Facebook në të ardhmen do të bëhet më transparent në këtë drejtim”, tha Mark Zuckerberg, themelues i Facebook.

Në rastin e reklamës politike, nga sot e tutje do të duhet të deklarohet se cilës fushate i përket, apo kush ka paguar për të. Vendimi për të bashkëpunuar me Kongresin erdhi pas një presioni të shtuar publik, e interpretohet edhe si përpjekje për të shmangur ndonjë ndërhyrje rregullatore të qeverisë amerikane.

Hetimet mbi të ashtuquajturit “aktorë të huaj” përfshijnë edhe grupe të ndryshme ruse dhe republika ish-sovjetike. Në fillim të muajit, Facebook njoftoi se nga 470 llogari të rreme, të menaxhuara me shumë gjasë nga Rusia, ishin shpenzuar gati 100 mijë dollarë për hedhjen e njoftimeve politike në platformën e tij gjatë dy viteve të fundit.

Besohet se llogaritë në fjalë lidhet me një entitet rus të quajtur “Agjencia e Kërkimit në Internet”. Njoftimet iu referohen në mënyrë të veçantë zgjedhjeve amerikane, apo kandidatëve, ndërsa fokusohen në tema të ndryshme si racizmi, emigracioni ose qasja ndaj armëve të zjarrit.

/ Top Channel

Shkruaj koment
Shpërndaje