Filloi kongresi i 23-të i LSDM-së (Live)

Në Shkup filloi Kongresi i 23-të i LSDM-së, ku partia duhet ta konfirmojë kandidaturën e Stevo Pendarovskin për president të shtetit në zgjedhjet e ardhshme

124

Në Shkup filloi Kongresi i 23-të i LSDM-së, ku partia duhet ta konfirmojë kandidaturën e Stevo Pendarovskin për president të shtetit në zgjedhjet e ardhshme.

Kongresi është hapur me fjalimin e kryeministrit dhe liderit të partisë, Zoran Zaev, i cili tha se nga kongresi i fundit, LSDM-ja e ka konfirmuar rolin e saj shtetformues dhe përgjegjësinë në momentet dhe ngjarjet kyçe nga historia e shtetit tonë bashkëkohor.

“Partia jonë së bashku me liderët dhe anëtarët e saj asnjëherë nuk hoqën dorë para sfidave. Çdoherë e kanë ndërmarrë përgjegjësinë, kanë marrë vendime dhe kanë realizuar politika racionale që u treguan si historike. Kjo ishte në vitin 1991, kur së bashku me qytetarët e vendit tonë morëm pjesë në procesin e shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Kjo ishte edhe në vitin 2001, kur e morëm përgjegjësinë që të ndërprejmë konflikt ndëretnik dhe me dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit të fillojmë ta ndërtojmë vlerën e re të bashkësisë sonë shoqërore “Një shoqëri për të gjithë”. Ashtu ishte edhe në vitin 2005, kur u dhamë impuls të fortë vlerave evropiane dhe aspiratave tona për anëtarësim në BE dhe na u dha statusi i kandidatit. Ashtu ishte edhe në vitin 2015 kur me “E vërteta për Maqedoninë” me qytetarët e Maqedonisë në kampin e lirisë me revolucionin e larëm u nisëm drejt rrugëve të qyteteve tona. Kur me durim dhe me mençuri nëpër procese politike, duke besuar në liri, të vërtetën, drejtësinë, barazinë,  përparimin dhe kur vlerat socialdemokrate i bashkuam me vlerat civilizuese që ta lirojmë shtetin tonë të robëruar. Ashtu ishte edhe në vitin 2017 dhe 2018, kur më 27 prill iu kundërshtuam dhunës dhe kur koalicioni i ri qeveritar mori vendim që të lidh marrëveshje të miqësisë me Bullgarinë dhe ta zgjidh kontestin tredekadësh me Greqinë”, tha Zaev në Kongres.

Ai tha se këto data dhe ngjarje e mbajnë nënshkrimin e Lidhjes Sociademokrate.

Pas fjalimit, kongresi do të mbyllet për opinionin, e sërish do të hapet në fund kur do të mbajë fjalim kandidati i zgjedhur për president të shtetit.

Advertisement

Stevo Pendarovski mori përkrahje që të jetë klandidat i përbashlët nga 31 parti politike, të udhëhequra nga koalicioni qeveritar dhe të gjithë përkrahësit e konceptit për kandidat të përbashkët për president të shtetit.

Mbështetja u shpreh edhe të premten nga kryeministri Zoran Zaev, i cili tha se ky është vendim historik për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Për kandidatin e përbashkët presidencial është nder i jashtëzakonshëm të mbështetesh prej përfaqësuesve të të gjitha bashkësive etnike, prej 31 partive politike, por edhe shumë qytetarëve të cilët nuk janë anëtarë të partive politike.

Këtë e ka shkruar Pendarovski në profilin e tij në Fejsbuk, pasi dje mori mbështetjen që të jetë kandidat i përbashkët presidencial i koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja dhe koalicioni në pushtet.

Vendimi për kandidat të përbashkët duhet të verifikohet në organet e secilës prej partive.