Hedonisti

Me qenë hedonist, në gjuhën e përditshme, i bie të jesh njeri i qejfit dhe i lezetit. Të dhënë pas rakisë e shoqërisë, shtëpive publike, kumarit, lojërave të fatit dhe konsumimit të drogës. Maksima e hedosnistit të sotëm është: “Fikë se fikë bare me muzikë” dhe “Sot për nesër”.

249
Latif Mustafa - Foto: ©Rromir Imami

Hedonizmi është pikëpamja etike e cila pretendon se lumturia është vetë kënaqësia. Themelues i këtij botëkuptimi etik konsiderohet Aristippus-i nga Kirena (Cyrene) që shtrihet në Libinë sotshme. Edhe pse nxënës i Socrate-s ai kishte përvetësuar bindje të ndryshme për botën dhe jetën. Jetë e mirë, sipas tij, ishte jeta me kënaqësi të shtuara dhe dhimbje të munguara. Të qenit i privuar nga dhimbja, në formë të vazhdueshme, krijonte kënaqësinë apo ndjenjat e lehta, valore dhe përkëdhelëse të shpirtit.

Përkundër rëndësisë që kjo rrymë i jep ndjenjave dhe perceptimit, Aristippus-i do t’i konsolidojë edhe më tutje bindjet e tij duke dalluar midis kënaqësisë së përkohshme dhe lumturisë. Epicurs-i, po ashtu konsiderohet përfaqësues i kësaj rryme duke kontribuar në konceptimin, teoretizimin dhe shpalosjen e dimensioneve më të thella të saj. Për të, hedonizmi është simptomë e frikës nga vdekja.

Me qenë hedonist, në gjuhën e përditshme, i bie të jesh njeri i qejfit dhe lezetit. Të dhënë pas rakisë e shoqërisë, shtëpive publike, kumarit, lojërave të fatit dhe konsumimit të drogës. Maksima e hedosnistit të sotëm është: “Fikë se fikë bare me muzikë” dhe “Sot për nesër”. Me pak fjalë, hedonizmi më tepër se një përpjekje për të kërkuar lumturinë, është një shpërfaqje e zhgënjimit, refuzimit dhe protestimit ndaj realiteti të brishtë politik e shoqëror.

Ajo çfarë e bashkon antikitetin dhe bashkëkohore në çështjen e hedonizmit janë rrethanat politike, gjegjësisht, mungesa dhe bjerrja sociabilitetit shoqëror si zbulim i kërkimit individual të kënaqësisë, qoftë kjo edhe e përkohshme. Akumulimi i kënaqësive të përkohshme, në rrethana të amullisë shoqërore, krijon ndjesinë e “rrejshme” të një lumturie të vazhdueshme. Pra, përpos përjetimit të momentit, krijohet ndjenja e vazhdimësisë së kësaj gjendjeje në pafundësi. Hedonisti, nuk e njeh se ç’është e turpshmja, ngaqë sipas tyre, kënaqësia nuk ndërlidhet me turpit dhe të keqen. Mjaftohesh nëse kënaqesh!

Advertisement

Arsyeja sipërfaqësore e shpërfaqjes së hedonizmit është shkërmoqja e moralit kolektiv dhe përgjegjësisë publike. Si e tillë, shoqëria nga “egoizmi racional” rrëshqet drejt një “egoizmi të pakontrolluar emocional”. E para ka të bëjë me marrëveshjen shoqërore ku secili realizon interesin e tij dhe e dyta nënkupton thyerjen e çdo norme në funksion të interesit personal. Grabit çfarë të mundesh! Hedonizmi, shpërfaqet si rrugë e tretë, në mes dy egoizmave, formë e një ekzistencializmi, antikolektivizmi apo individualizmi. Forca e shtetit është shkallmuar dhe individi tërhiqet në vete, të tërhiqet në vetvete dhe të ndërtojë një jetë të durueshme në përpjekje për të qenë i lumtur.

Arsyeja e dytë është subjektive dhe personale. Ajo ka të bëjë me paaftësinë, mosgatishmërinë dhe pafuqinë e përgjigjes nda pyetjeve të mëdha ekzistenciale. Për më tepër, ka të bëjë me atë çfarë e kishte pikasur edhe Epicurus-i; frika ndaj vdekjes. Realisht, dhënia pas qejfit dhe lezetit si miklim lumturie është shmangja e dhembjes që na ngulitet si gozhdë në shpirt. E vërteta, për mos vazhdimin e ekzistencës. Shumësia në kënaqësi është rruga për të mohuar dhe shpërfillur realitetin e njëshmërisë, si të vërtetën e vetme, vdekjen. Origjina e gjithë përpjekjes intelektuale është ta njohim vdekjen, qoftë si përjetimin final estetik qoftë si zhvendosje qenieje. Kështu e mendonte edhe Epicurus-i, rolin e filozofisë si çliruese e shpirtit nga pasionet.

Nuk duhet gjykuar personat që budallepsen në dehje dhe forma të tjera të kënaqësisë. Thellë në shpirtin e tyre, ekzistojnë arsye të fuqishme, që as ata nuk i pranojnë e as ne nuk i dimë. Por megjithatë, duhet përkujtuar edhe përfundimin që kishte arritur vetë Aristipuss-i, “Rrëmbe, e mos u rrëmbe” apo “Unë jam sundues dhe jo shërbëtor”. Thënë ndryshe, njeriu si qenie e lirë dhe racionale tejkalon sensibilitetin apo diktaturën shqisore dhe vihet në përpjekje të thellë intelektuale duke shkëputur të gjitha prangat e sensualitetit dhe të përkohshmes.

Në këtë frymë edhe Epicurus-si argumentonte se vdekja është e papërjetueshme sepse kur ne jemi, ajo nuk është; dhe kur ajo vjen, ne nuk jemi! Liria si veprim aktiv i subjektit mund të sublimojë frikën nga joekzistenca në krijimtari artistike me ngjyrime të thella të përjetimit estetik. Një gjendje e tillë na shpie në fazën e “epshit të qetë” që nuk guduliset por i qetë noton mbi oqeanin e ekzistencës.

Shkruan: Latif Mustafa