Jamie Shea: Bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe të pashmangshme dhe të arsyeshme

142
Jamie Shea

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, në një intervistë për BBC-në në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe, është shprehur se i vjen keq për dëmet kolaterale, por bombardimet kanë qenë të arsyeshme, transmeton Koha.net.

Ai, ndërsa në Beograd është person i urryer, sepse ia atribuojnë shprehjen “dëmet kolaterale” për viktimat e bombardimeve, në Prishtinë ai pritet si hero, komentojnë mediat serbe.

Aktualisht ai është në pension.

I akuzuar nga opinioni serb për shprehjen “dëme kolaterale” për viktimat e bombardimeve të NATO-s, dy dekada më vonë ai sqaron se çfarë do të ndryshonte sot.

Advertisement

Thotë se “dëmi kolateral” megjithatë mbetet në listën jo të gjatë të shprehjeve për të cilat pas dy dekadash i vjen keq, por në të nuk përfshihet ndërhyrja e NATO-s. “Bombardimet ishin të pashmangshme dhe të arsyeshme”.

“Në rrethanat e dhunës dhe të pastrimit etnik, NATO bërë punën që duhej që në Kosovë të mos përsëritej skenari i Bosnjës”, ka thënë Shea.

Shea vetë shtron pyetjen që ka brenda edhe përgjigjen: “A nuk do të kishte qenë më mirë po të përfundonin me sukses bisedimet në Rambuje e Paris, që u zhvilluan thuaja deri pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s?!”

“Të gjithë llogarisnim në suksesin e bisedimeve në Rambuje, e pamë se shqiptarët e Kosovës, pala e cila konsideronim se do të refuzonte marrëveshjen, në fund pranoi, por Millosheviqi refuzoi. Kemi pritur që në momentin e fundit do të arrihet ndonjë sukses diplomatik dhe se nuk do të ketë nevojë për fushatë ajrore”, ka thënë ai.

Siç citohet të ketë thënë Shea, “Kosova mund të mbijetojë si shtet i pavarur, por do të përparonte më shumë sikur të normalizonte marrëdhëniet me Beogradin”, transmeton Koha.net.