Katrougalos: Jam absolutisht i sigurt se Marrëveshja e Prespës do të votohet nga shumica absolute e deputetëve

Numri dy i Ministrisë së Jashtme greke, Jorgos Katrouglaos, ka thënë se në marrëdhëniet me Shqipërinë ai shpreson të shënohet këtë vit i njëjti progres si dhe me Maqedoninë.

122
Georgios Katrougalos

Në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve, ANA, Katrougalos thotë se disa prej iniciativave që kishte ndërmarrë ish-ministri i Jashtëm Nikos Kotzias do të vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes. Mes tyre edhe negociatat e bllokuara Athinë–Tiranë.

“Dua të shpresoj që do të kemi edhe në marrëdhëniet tona me Shqipërinë të njëjtin progres që kishim me IRJ Maqedonisë, me kusht të njëmendtë rishqyrtimin e çdo mase që prek të drejtat e minoritetit tonë atje”, ka deklaruar ministri alternat grek.

Katrougalos  ka shprehur sigurinë se Marrëveshja e Prespës do të votohet nga parlamenti grek.

“Jam absolutisht i sigurt se Marrëveshja e Prespës do të votohet nga shumica absolute e deputetëve, madje dhe më shumë prej tyre”.

Advertisement

Në intervistë, ministri alternat grek i Punëve të Jashtme, ka shpjeguar saktësisht procedurën që do të ndiqet nga Greqia për ratifikimin e marrëveshjes që arritën kryeministrat Tsipras e Zaev në Qershor të vitit të kaluar. Sipas tij, këto hapa burojnë ose nga Kushtetuta e vendit, ose nga vetë Marrëveshja e Prespës.

“Pas njoftimit zyrtar nga vendi fqinj se aty përfundoi procesi, marrëveshja do të vijë për t’u ratifikuar në parlamentin grek. Pas votimit të marrëveshjes, mund të fillojë edhe procesi i ratifikimit të konventës për anëtarësimin e vendit fqinj në NATO. Parakusht për këtë është që të mbërrijë në vendin tonë protokolli përkatës i anëtarësimit, i cili duhet përsëri të ratifikohet nga parlamenti grek. Natyrisht, datat ekzakte për gjithë këto procedura parlamentare do të caktohen nga kryeministri në marrëveshje me kryetarin e parlamentit”, ka thënë Katrougalos./abcnews.al