KONTRASTE NDJENJASH

Pranë tij ka dy valixhe të harruara diku nga dikush. Në njërën ka emocione, kujtime të bukura e të hidhura nga e kaluara, dëshirë për jetë e për ëndërra, shpresa të zgjuara nga shtrati i lëngimit. Tek tjetra ka indiferencë, mospërfilje, hipokrizi.

234
Teuta Buçi

Ka njerëz që lexojnë libra dhe rrëmbehen pas tyre në ambiente të qeta e të zhurmshme, në thellësinë e natës, apo në agimin e mëngjesit. Ka njërëz që lexojnë ritme dhe i gjejnë ato kudo, në zemra, në qetësinë e liqenit, dallgët e detit, në lëvizjen e hapave të afërta dhe të largëta.

Ka njerëz që lexojnë piktura. Ata e shohin pikturën kudo, të vendosur në kornizë nëpër galeritë e arteve, por e shohin atë edhe atëherë kur ajo del nga korniza dhe ecën e lirë në mesin e njerëzve dhe sheh të gjithë e gjithçka, por atë e shohin shumë pak prej tyre. Pastaj ka dhe të tillë të cilët, nga rrethanat në të cilat janë rritur, nga informatat që kanë thithur apo nga përvojat e shumta që kanë pasur në jetë, kanë mësuar të lexojnë njerëz. Këta, në mënyrë instiktive, dijnë të lexojnë çdo njeri që shohin.

Prandaj, nëse ndonjëherë takoni ndonjë njeri të ulur vetëm në ndonjë lokal  herët  në mëngjes me kokën e kthyer nga dritarja, ai nuk është i përhumbur, nuk ka humbur toruan e as nuk është vetmitar. Ai po lexon njerëz.  

Vëzhgon të gjithë ata që e kanë marrë me shumë seriozitet jetën dhe bën një klasifikim. Ata që janë çdoherë në nxitim, vrapojnë pas autobusit, apo nxitojnë me veturë, janë nëpunësit, të cilët duhet të paraqiten në orën e saktë në zyrë. Në ato zyrat e ngushta e të zverdhura dhe me shumë byro në to, të mbushura me dokumente të pakuptimta e dosje të mbuluara me pluhur. Këtu ai mendon, sa efektive duhet të jetë puna institucionale. Pastaj vijnë njerëzit të veshur me kostume të shtrenjta, të blerë diku në ndonjë metropolë mode fundjavën e kaluar. Zyrtarë të lartë institucional. Ata lënë gjurmët e parfumit të tyre kur kalojnë, bashkë me disa tinguj të paqarta nga ana tjetër e linjës telefonike. Ata nuk kanë orar pune. Ata janë gjithnjë në telefon, duke diskutuar një çështje të rëndësishme zyrtare. Bisedat  tyre janë kryesisht të qeta e të shoqruara herë pas here edhe me mimika gazmore. Këtu sigurohet; gjithçka në shtet shkon ashtu siç duhet. 

Advertisement

Në stolat e bulevardit, aty këtu, shef të moshuar të ulur, të cilët pasi kanë kryer detyrimet ndaj shtetit dhe kanë dhënë kontributin e tyre në punë, po e shijojnë jetën. Ata janë njerëzit më të hershëm, nuk duan t’u ikën as edhe një sekond nga jeta dhe ngrihen nxitimthi që në agim. Ata janë të vetmit që lexojnë gazeta, të cilët janë të stëmbushura me tituj që flasin për ikje, kronikë të zezë, mosmarrëveshje politike, kriza ekonomike e shpirtërore.  

Përgjatë bulevardit, në atë hapësirën përmes stolatave, kap një moment interesant. Sheh se si kalojnë pranë njëra tjetrës dy qenie interesante. Njëra me minifund e taka të larta dhe grim të zbehur që flet për një natë të lodhshme. Tjetra është e veshur me një kostum të zi, me një aksesor të punuar prej druri mbi të, pa grim e me një libër në dorë. E para ka shitur dashurinë e saj tërë natën. E dyta, po shkon që t’i falë dashurinë e saj Krishtit. E para, dëbon dashurinë e saj nga vetja dhe bën tregti me të. E dyta, ka sakrifikuar tërë jetën e saj duke i’u përkushtuar me tërë qenien e saj shpirtërore dashurisë ndaj Krishtit. Këtu ai ka një hamendje: cila prej tyre ka dhënë testin e sinqeritetit dhe flet se është e lumtur me jetën që bën. E para, e dyta apo asnjëra. Është një hamendje e pazgjidhur. 

Ai arkivon hamendjën e tij në kokë, përderisa vazhdon të vëzhgon një grup tjetër të njerëzve që janë vonë për diku, por ecin me hapa të ngadaltë. Duan të prolongojnë sa më shumë destinacionin. Si dikush i cili duhet të jetë diku por, dëshiron të jetë diku tjetër. Ata janë studentët. Ata duhet të paraqiten në amfiteatër, të dëgjojnë ligjeratën e shpifur, apo të presin me orë të tëra në bufe profesorin që ka harruar orarin, ka ngatërruar ditët, lëndët apo objektin e fakultetit. Ata ecin si dikush që e di se rruga në të cilën ata janë nisur në mëngjes, ajo ligjeratë e shpifur, ajo rutinë e përjavshme, përfshirë dhe bufenë, ka një rol vendimtar për ardhmërinë e tyre, por nuk duan ta bëjnë atë. Këtu kupton ku po shkon ardhmëria.  

Monotoninë e thyejnë disa grupe që ecin si në tufë, plot energji e buzëqeshje që në mëngjes. Ato janë fëmijët dhe adoleshentët që po shkojnë në shkollë. Ato e duan jetën, sa e duan jetën! Ata nuk duan t’ia dijnë për krizën ekonomike, për ngrohjen globale, për politikat gjeostrategjike, për ndonjë marrëveshje historike në ndonjë cep të botës, për tokën e nëntokën. Ata nuk duan t’ia dijnë për asgjë reale. Atyre u intereson vetëm bota e tyre e sinqertë dhe këndvështrimi që ata e kanë krijuar për jetën. Ata duan ta jetojnë jetën pa impakte nga jashtë. Këtu kupton se atyre u duhen shpresa të freksëta.

Në fund, kur kthen kokën dhe i jep një vështrim vërdallë lokalit, sheh përballë tij një njeri të çuditshme, që të lë përshtypjen e një të çmenduri. Ai nuk e njeh, por e kupton. E vëzhgon edhe atë. Ai ka flokë të ngatërruar,  po aq sa dilemat e tij në kokë. Ka sy të skuqura e me rrathe të mavijosura nga lodhja. Duket si i përgjumur, por në të vërtetë ai vuan nga pagjumësia. Ai ka një brishtësi që tregon forcë. Brishtësia çdoherë tregon një forcë, siç fsheh forca një brishtësi. Ai shfaq një indiferencë që flet për ndjenja. Ai është kaotik. Duket se ka dalë nga një sistem kaotik. Dhe këtë e kupton aq lehtë, siç kupton shijen e kafesë së bërë me neveri. Pranë tij ka dy valixhe të harruara diku nga dikush. Në njërën ka emocione, kujtime të bukura e të hidhura nga e kaluara, dëshirë për jetë e për ëndërra, shpresa të zgjuara nga shtrati i lëngimit. Tek tjetra ka indiferencë, mospërfilje, hipokrizi. Ka dhe një dëshirë të djallos gjithçka dhe të mos vras mendjen për këtë. Njërën prej tyre ai duhet të varros dhe tjetër të mbaj me vete tërë jetën. Por, nuk ka zgjidhur akoma paqartësinë për vendimin që duhet të merr. Ose ka zgjidhur por, nuk dëshiron të pranon. Ai e dëshiron dëshpërimisht të dytën, por nuk shkëputet dot nga e para. Ai shkund kokën, para se t’i vij mendimi që të çohet nga tavolina dhe t’i bashkangjitet njeriut që ka përballë.

Çuditërisht ai është zhdukur. Pastaj e sheh se përballë tij nuk kishte një tavolinë tjetër, por vetëm dritare tjetër me reflektimin e tij në të. 

Shkruan: Teuta Buçi