Kosova nuk është perspektiva integruese e Serbisë

307

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të trajtojë seriozisht çështjen e taksës dhe gjithashtu ju ka thënë atyre se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Europian nuk ka kalon dhe nuk do të kalojë nga Serbia.

“Kemi pritur reflektim balancues të Bashkimit Europian për këtë situatë, por nuk kemi pritur që Bashkimi Europian të reagojë vetëm ndaj nesh. Kjo mungesë balance e BE-së te qytetarët e Kosovës, me të drejtë ka krijuar përshtypjen e njëanshmërisë së BE-së. Thirrjet e Serbisë për heqjen e taksës dhe përsëritja e tyre nga BE-ja, pa i bërë thirrje edhe Serbisë që të heqë dorë nga qasja e saj bllokuese ndaj Kosovës, po shqetëson me të drejtë qytetarët e Kosovës. Kosova nuk do të veprojë njëanshëm në heqjen e taksës”, tha Veseli.

Ai tha se bllokimi i qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm, vetëm sa e vështirëson edhe me shumë ketë situatë.

“Bashkimi Europian nuk mund ta shikojë Kosovën nga perspektiva integruese e Serbisë. Ne presim që bashkësia europiane të garantojë në dialog parimin e barabartë të të dyja palëve dhe përfitimet e dyanshme të tij. Trajtimi i barabartë dhe reciprok janë rrugëzgjidhja”, tha Veseli.

Advertisement

Qeveria e Kosovës vendosi më 21 nëntor taksën prej 100 për qind ndaj produkteve që janë me origjinë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Ndonëse kjo masë është kritikuar nga Bashkimi Europian dhe është kërkuar që të hiqet, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se taksa do të hiqet kur Serbia ta njohë Kosovën. TopChannel