Librat e Javës II

Telegrafi.mk së bashku me Libraria Nobel vazhdon me kategorinë "Librat e Javës". Kjo kategori është mundësuar fal përkushtimin të punonjësve në Libraria Nobel, tek e cila mund t'i gjeni të gjitha librat të botuara në gjuhën shqipe.

83
Aldous Huxley – Ishulli

Një nga 99 veprat më të mira moderne.

Autori Aldous Huxley përmes romanit të tij më të rëndësishëm na dërgon në ishullin e largët të Paqësorit, Pala, ku një shoqëri ideale ka lulëzuar për 120 vjet. Pashmangshmërisht, ky ishull i lumturisë ndjell zilinë dhe armiqësinë e botës që e rrethon. Një komplot po merr jetë për të futur nën sundim Palan dhe ngjarjet zënë fill kur një agjent i komplotistëve, një gazetari të quajtur Farnabi, i mbytet anija aty. Atë që Farnabi nuk e pret është se si koha që do të kalojë me njerëzit e Palas, do të revolucionarizojë të gjitha vlerat e tij dhe për habinë e tij të madhe do t’i japë shpresë.

Vlen të theksohet se budizmi është feja që praktikohet nga banorët e ishullit Pala e tani kur kanë kaluar gati 60 vjet prej botimit të “Ishullit”, budizmi është përhapur dhe në vendet perëndimore e gati në të gjithë botën.

Libri pra është një shfaqje e mrekullueshme e inteligjencës së Huxleyt dhe njohurive të autorit, si dhe interesit të tij për budizmin, konfucianizmin e substancat që ndryshojnë mendje të cilat pastaj kombinohet me një ndërgjegjësim mbi mbipopullimin, ndryshimet klimatike dhe luftën. Temat e vazhdueshme të utopisë dhe të dystopisë janë të ndërthurura mirë dhe ndihmojnë të krijohet në mendje një shoqëri e lirë dhe të këndshme siç është ajo në Pala. Me filozofinë dhe vetëreflektimin si shtyllë të tregimit, “Ishulli” është pa dyshim një roman për ata që janë të interesuar të ushtrojnë trurin e tyre ose ata thjesht duan të lexojnë anën e kundërt të librit “Brave New World” të të njëjtit autor. Në këtë roman personazhi kryesor Farnaby na ndihmon si lexues të eksplorojmë jo vetëm një mënyrë imagjinare të jetës, por edhe mënyrat në të cilat realizojmë jetën tonë të përditshme. Natyrisht me një roman kaq thellësisht të rrënjosur në filozofi, narrativa është herë pas here shumë e ngadaltë dhe ngjarja gjithashtu kërkon kohë për t’u zhvilluar.

Advertisement

Aldous Leonard Huxley (26 korrik 1894 – 22 nëntor 1963) ishte shkrimtar dhe filozof anglez. Ai krijoi rreth pesëdhjetë libra, duke përfshirë romane tregime e poezi. Huxley ishte një humanist dhe pacifist. Ai u interesua për misticizëm filozofik dhe universalizmin, duke iu drejtuar këtyre temave edhe në veprat e veta. Në romanin e tij më të famshëm “Brave New World” (1932) dhe romanin e tij të fundit “Ishulli”(1962), ai paraqiti vizionin e tij të dystopisë dhe të utopisë, respektivisht.

Essad Bey – Profeti Muhamet

Biografia për Profetin Muhamet

Për herë të parë në gjuhën shqipe vjen biografia më mahnitëse, mbresëlënse dhe imponuese e shkruar nodnjëherë për Profetin Muhamet. Eshtë shtëpia botuese “55” që sjell këtë vepër të suksesshme e shkruar dhe botuar 90 vjet më parë, në 1938, në Britaninë e Madhe. Autori i saj është shkrimtari i shquar hebre Lev Nussimbaum, i njohur me presudionimet letrare Essad Bey, apo Kurban Said. Libri është përkthyer nga anglishtja nga Stavri Pone.

Për Profetin Muhamet janë shkruar me dhjetra e qindra shkrime, libra e predikime të ndryshme fetare në mbarë botën. Historia e tij, sikurse ndodh në librat e shumë fetarë, është e glorifikuar, e lartësuar, dhe e mbushur me legjenda e mite nga më të ndryshmet. Megjithatë, shkrimtari dhe gazetari hebre, i konvertuar në fenë islame, Lev Nussimbaum, ndërmori misionin e vështirë për të rishkruar historinë e porfetit, biografinë e tij reale, sa më të vërtetë, më njerëzore, një mision që dukej i vështirë, por jo i pamundur. Lindur në kiev në 1905, fëmijërinë e kaloi në Baku, Azerbaxhian dhe i larguar nga vendi bolshevik në moshën 15-vjeccare, Nussimbaum u konvertua në besimin islam në 1922 në prani të imamit të ambasadës Turke në Berlin. Ai është autori i shumë biografive, edhe pse jetën e pati të shkurtër, pasi u shua në Pozitano, pranë Napolit në Itali, në 27 gusht 1942. Ai shkroi për tema mbi të cilat perëndimorët, në përgjithësi, dinin shumë pak si për Kaukazin, Perandorinë Ruse, Revolucionin Bolshevik,naftën e sapozbuluar,Islamin etj. Ai shkroi nën emrin e Esad Beu në gjuhën gjermane. Disa nga veprat e tij janë: “Gjaku dhe nafta në Orient” (1930), “Dymbëdhjetë sekretet e Kaukazit” (1930), “Stalini: Karriera e Fanatit” (1931), “Kaukazi” (1932), vetëm në gjermanisht, “Der Kaukasus” (nuk është përkthyer në anglisht), “Mohammed” (1932), shumë botime në dispozicion në mbarë botën,  “Rusia e bardhë: Njerëzit pa atdhe” (1932), “Rusia në udhëkryq” (1933), “Dashuria dhe Nafta” (1934), “Manuela” (1934), “Lenini” (1935), vetëm italisht, “Fundi i Bolshevizmit” (1936) etj.

Pavarësisht se Nussimbaum ishte një hebre etnik, politika e tij monarkiste dhe antibolshevike ishte e tillë që, para zbulimit të origjinës së tij, ministria propagandistike naziste përfshinte veprat e tij në listën e tyre të “librave të shkëlqyera për mendjet gjermane”. Ndër veprat e vlerësuara janë biografitë e hershme të Leninit, Stalinit dhe Karlit Nikolla II, Muhammedit, Profetit; dhe Reza Shah i Iranit. Të gjitha këto “biografi” thuhet se janë shkruar mes viteve 1932 dhe 1936. Në një moment, Nussimbaum iu kërkua të shkruante një biografi zyrtare të Benito Mussolinit.

Libri i për Profetin Muhamet nga Essad Bey pati shumë jehonë dhe u prit shumë mirë nga lexuesi perëndimor. Gazeta prestigjioze “Herald Trubine” shkruan për librin: “…Padyshim që “Profeti Muhamet” nga Essad Bey, është biografia më mbresëlënëse dhe më imponuese e shkruar deri më sot, nga një prej shkimtarëve dhe personaliteteve më kompleks për kohën, që fatkeqësisht jetoi pak”.

Tom Kuka – Gurët e Vetmisë

Në një vend diku mes kufijsh, një grusht njerëzish përpiqen të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre, në vendin ku kanë pasur rrënjët e të parëve, nën hijen e së shkuarës, duke u ruajtur nga pabesia e armikut.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja gërshetohen dhe rrjedhin lirshëm nga njëra te tjetra si të ishin enë komunikuese, retrospektiva dhe kujtimet herë pas here bëhen njësh, dhe vetë personazhet gjenden në një kohë të pakohë.

Boshti i romanit përsillet rreth masakrës së Paramithisë, ku 72 burra, bujarë të dyerve më të mëdha çame u thirrën nga mitropoliti grek kinse për të vendosur paqen mes palëve, por u prenë në besë dhe u vranë të gjithë në përroin e Selanit. Shpirtrat e tyre, të ngecur mes dy botësh, nuk gjejnë paqe dhe përsillen mbi një barkë në lumë, si Karonti që shpinte të vdekurit në Had.

Avduli fantazmë kërkon të paralajmërojë jo vetëm të birin, në të ardhmen, por edhe Feritin, në të shkuarën për mynxyrën e madhe që po gatitet. Oguret e zeza që përshkojnë kohërat duan t’i nxitin njerëzit të lënë laçkë e plaçkë e të ikin, të shpëtojnë kokën.
Armiku kërkon jo vetëm kamjen e tyre, por të ndërrojnë gjuhë e emër, të asimilohen krejtësisht, derisa t’u shuhet fara. Autori ka ditur të tregojë me mjeshtëri jetën e përditshme të fshatit, të ndarë vetëm teorikisht mes kaurësh dhe muhamedanësh, shoqëruar gjithnjë me nota humori, të shkaktuara hera-herës nga frika e së resë dhe padituria; ka sjellë dhembjen e dashurisë që lëshon shigjeta reale sa ta bën trupin gjak, erosin që ta humbet mendjen deri në delire.

Kjo është një përrallë nga e kaluara, me djem gjaknxehtë e vajza lozonjare, me valle ndjellëse e shtjella kumtesh, që nxijnë lulet e lotojnë gjak. Këtu nuk ka
prijës të shquar e fjalëmëdhenj, por ka vetëm njerëz shpirtmirë: qeflinj, sedërlinj e besëplotë, që ngulmojnë për paqe.

Historia e tyre plekset me mite e legjenda, të cilat jo vetëm janë pjesë e një përditshmërie të shtruar e të thjeshtë, por janë pjesë e thelbit të këtij populli të vogël e të harruar. Këta njerëz me rrënjë të thella, të ndërthurura në gëzime e hidhërime të moçme, jetojnë të zhytur në një fatalizëm që është njëherazi shpëtimtari dhe përndjekësi i tyre më i ashpër.

Romani nuk ka stërhollime, gjykime e as leksione, por vetëm kujtime dhe mall.
Kjo është një rrëfenjë epike për atë që ka ndodhur vërtet një shekull më parë në tokat shqiptare. E, megjithatë, kjo mund të ishte historia e shumë të tjerëve, e çdo kombi të nëpërkëmbur, të tradhëtuar e të braktisur. Ngjarjet që rrëfehen këtu kanë ndodhur dje, por mund të ndodhin edhe sot.

Të gjitha librat mund t’i porositni online në Librarinë Nobel, Tetovë

Facebook

Instagram