Librat e Javës V: Bazat e Moralit sipas Arthur Schopenhauer

Të gjitha librat e përmendura në tekst mund t’i porosisni online në Librarinë Nobel, Tetovë

129

1. “Bazat e moralit” – Arthur Schopenhauer

“Bazat e moralit” – Arthur Schopenhauer

Do të binim në një gabim të madh dhe shumë fëminor nëse besonim se të gjitha veprimet e drejta dhe të ligjshme të njerëzimit kanë zanafillë morale. Përkundrazi, është e vërtetë se midis drejtësisë së ushtruar nga njerzit dhe ndershmërisë së mirëfilltë të zemrës, ekziston një lidhje analoge si ajo midis shprehjes së mirësjelljes dhe dashurisë së sinqertë ndaj tjetrit. Vetëm dashuria e sinqertë është në gjendje ta mundë Egoizmin realisht, jo vetëm në dukje, ashtu siç bën mirësjellja.

Në përgjithësi, ka vetëm tri stimuj themelorë të veprimeve njerëzore, prandaj vetëm nëpërmjet nxitjes së këtyre vihen në veprim të gjithë motivet e mundshëm.

Ata janë:

a. Egoizmi; i cili dëshiron të mirën e vetvetes dhe që është i pakufi.

Advertisement

b. Ligësia; e cila dëshiron të keqen e të tjerëve dhe mund të shkojë deri në mizorinë ekstreme.

c. Keqardhja; e cila dëshiron të mirën e të tjerëve dhe mund të lartësohet deri në fisnikëri shpirtërore dhe shpirtmadhësi.

Njeriu mund të riformëtojë Sjelljen, por jo Vullnetin, vetëm të cilit i takon vlera morale. Njeriu nuk mund të ndryshojë qëllimin, për realizimin e të cilit dërrmohet Vullneti, por vetëm shtegun që e çon për atje.

Ai – i cili përpiqet të çojë përpara perceptimin dhe dijen njerzore – është i destinuar që gjithmonë të hasë në rezistencën e epokës së tij, gjë që është pikërisht si një barrë që duhet ta tërheqë dhe që megjithë përpjekjet, ajo bie rëndë përdhé. Atëherë njeriu duhet që të ngushëllohet me sigurinë se ka jo vetëm paragjykimet kundër tij, por edhe të Vërtetën në favor të tij, e cila sapo të bashkohet me aleaten e saj – Kohën – do të jetë plotësisht e sigurtë për fitoren, në mos sot, sigurisht nesër.

“Arti për t’u bërë i paharrueshëm” – Dale Carnegie

2. “Arti për t’u bërë i paharrueshëm” – Dale Carnegie

Ky libër, krijuar nga një prej markave më të besueshme dhe të suksesshme në trajnimet e biznesit, nxjerr në pah dhjetë teknikat thelbësore për të zhvilluar dhe përvetësuar disa cilësi e aftësi për t’u bërë njeri i dashur dhe i suksesshëm me njerëzit. Çfarë do të thotë “klas”? Si mund të spikatësh mes të tjerëve dhe të bëhesh një lider i vërtetë? Kur është koha e duhur për t’i lënë udhë të lirë intuitës në vendimet e rëndësishme? Kushdo që kërkon t’i japë një kuptim më të madh jetës së vet dhe të bëhet i zoti të ndikojë mbi të tjerët, mund të gjejë ndihmë të vlefshme në këtë libër dinamik e frymëzues.

Në këtë libër, mund të mësoni edhe të fshehtat për të lënë mbresa pozitive dhe ndikuese mbi këdo, mes të tjerash: 6 hapat për manaxhimin e problemeve të komunikimit, katër pengesat e paparashikuara në sjelljen etike dhe si t’i shmangni ato, një mënyrë të re për të kuptuar dhe për të qenë i sigurt në vetvete, teknika për të përballuar sfidat dhe parandaluar frikën, pesë aftësitë shoqërore kyçe që dallohen te një individ me klas.

Me të zbuluar si mund të spikatni në mënyrë të natyrshme dhe pa asnjë sforcim, shpejt, në të gjitha fushat e jetës, do të rrethoheni nga njerëz që do t’ju përgjigjen pozitivisht dhe me bujari të plotë..

3. “Të bëhesh” – Michelle Obama

 3. “Të bëhesh” – Michelle Obama

Kur ishte vetëm një vajzë e vogël, e gjithë bota e Michelle Robinson-it ishte e mbyllur brencla Anës Jugore të Çikagos, aty ku ajo dhe i vëllai, Craig-u, ndanin së bashku një dhomëz në apartamentin e vogël të familjes dhe luanin ekakusheka në park.

Pikërisht në këtë vend, prindërit e saj, Fraser dhe Marian Robinson-i, e mësuan të fliste haptas dhe të mos kishte frikë. Por shumë shpejt jeta e çoi tepër larg, nga sallat e Princeton-it, ku mësoi për herë të parë se çfarë nënkuptonte të ishe në një dhomë e vetmja grua me ngjyrë, deri te rrokaqielli ku punoi si avokate e fuqishme tregtare dhe ku, mëngjesin e një dite vere, një student i Juridikut me emrin Barack Obama, hyri në zyrën e saj dhe ia shpartalloi të gjitha planet.

Në këtë libër, për herë të pare, Michelle Obama përshkruan fillimet e martesës, vështirësitë për të gjetur një ekuilibër mes karrierës, familjes dhe ngjitjes së vrullshme të të shoqit në politikë. Na zbulon debatet e tyre lidhur me mundësinë për të konkurruar për presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe na rrëfen për popullaritetin që përjetuan dhe për kritikat që morën përgjatë fushatës elektorale. Me finesë, sens humori dhe një sinqeritet të pazakontë, Michelle Obama përshfaq gjithë jetën e një familjeje që, krejt befasisht, u ndodh nën dritat e projektorëve dhe përballë gjithë botes, si dhe tetë vitet më domethënëse në Shtëpinë e Bardhë, ku ajo e njohu më mirë vendin e saj, por edhe vendi i saj e njohu më mirë atë.

Becoming – Të bëhesh, na shoqëron në një udhëtim nga kuzhinat modeste të Jovas te sallat e ballos në Buckingham Palace, nëpër çaste dhimbjesh therëse dhe provash qëndrueshmërie këmbëngulëse, duke na zbuluar shpirtin e një gruaje të veçantë dhe revolucionare, e cila lufton për t’u ndjerë mirë me veten, plotësisht e zonja për të vënë gjithë forcën dhe zërin në shërbim të idealeve më të larta. Duke rrëfyer me ndershmëri dhe kurajë, Michelle Obama na vë përpara një sfide: cilët jemi në të vërtetë dhe çfarë dëshirojmë të bëhemi?

Të gjitha librat mund t’i porosisni online në Librarinë Nobel, Tetovë

Facebook

Instagram