ME KENË A MOS ME KENË …

Kambanat po bien, zâni i tyne po dëgjohet larg, por shtrohet pyetja a ka kush që ia ven gishtin kokës, përndryshe populli është sovrani ma i shenjtë: Ai gjykon drejtë, kurrë nuk ka për me e harrue e as për me e falë tân atë që âsht luejtun në emën të tij, kurrë... Nuk kanë thanë kot latinët Vox populi vox Dei.

422
Ahmed R. Ramadani

(Pse pranvera e sivjetme ta kujton dimnin e acartë të motit 1956…)

Dimën 1956…

“Sutra ujutro u 8 sati podnesi svoje oružje u miliciskoj stanicu!”[1] – ishte urdhni i prerë qi organet policore të UDB-së famëkeqe ia drejtuen kushurinit tem. I shkreti kishte mbetë i habitun dhe pa mend në kokë…

Ai armë me sy s’kishte pa qysh nga vjeti 1946, po si t’i bâhej halli kur udbashët i dhanë ultimatum t’premë… Kishte fëmijë të vegjël, hiqte të zinjtë e ullinit duke punue puntë ma t’rânda t’mundshme me sharrë n’krahë udhëve të Beligradit (tamam si personazhi i përshkruem mjeshtnisht nga poeti i madh Esad Mekuli) dhe sapo ishte kthye në vendlinje për me u çmallë me familjen e me e kalue dimnin. Si me ia bâ, në ora 8 me doemos duhej me u paraqit në stacionin e milicisë. Ashtu tuj kenë i thelluem në mendime, erdh n’përfundim qi ata pak dinarë që i kish fitue tân verën e lume dhe dy loptë qi i kishte, e me të cilat mezi qi ushqente fmijët, me i shitë dhe me ia bâ si me ia bâ – e me e blejtë nji armë e me nesre me e dërgue në stacionin e milicisë.

Advertisement

E kot kishte kenë bêja n’Zot e n’familje se nuk ka armë, sllavo-komunistat nuk donin me ia ditë për Zot e familje. Mlodhi dinart e fituem, shiti me çmim të përgjysmuem loptë dhe shkoi në Shkup e blejti nji armë dhe t’nesërmen n’ora 8 e dorzoi në milici. Dorzimi i armës kishte kenë fatal për te. Pas kësaj mendja iu ndryshue dhe me nji pezëm në shpirt, si shumë bashkombas të vet, kishte nxjerrë visikat dhe pas 10 ditëve ishte nisë udhës së pakthim për në Turqi…

Ky ishte dimni i acartë dhe i trishtuem i motit 1956 kur Rankoviqi bante kërdinë anembanë hapsinës shqiptare të mbetun nën Jugosllavi dhe kur nji popull i tânë po linte votrat e veta dhe nisej udhës së pakthim drejt Turqisë. Si ka kenë ai dimën dhe shpirti i vrâmë shqiptar si âsht ndie, kte  ma së miri e din i Madhi Zot dhe ata qi e kanë përjetue kte gjâ…

Pranverë 2010… 

Asht koha e internetit, integrimeve, shekulli i shkencës dhe teknologjisë, por si duket jo edhe për shqiptarët nën Maqedoni. Edhe pse âsht pranverë, koha duket se ka ngelun në dimnin e motit 1956. Hordhi milicie (qi sot gjoja t’modernizuem e kanë pagzue veten polici) po bâjnë të njajtën gjâ si në motin famkeq të 1956.

Ekzekutimi klasik i 4 shqiptarëve afër Radushës, në mesin e të cilëve ishte edhe njeriu qi muer pjesë në themelimin e UÇK-së dhe i bâni tri lufta (1998-2001) Harun Aliu-komandant Kushtrimi, âsht nji storie qi nxjerr në mejdan ftyrën e pa ftyrë të po atyne xhelatve që në dimnin e 1956 kishin urdhnue “Sill armë dhe pikë!”

Jo rastësisht kte shkrim e nisa me thânien, përkatësisht dilemën e Hamletit To be or not to be – Me kenë a mos me kenë – sepse me jetue sot në Maqedoni që në fillim duhet me i marrë parasysh do gjâna: del nga shtëpia- por kthimin nuk e ke të sigurt, sepse vrasësit enden si hordhi në çdo qoshe dhe hiç nuk duen me ia ditë se viktima e tyne e radhës ka me kenë fëmijë, burrë apo grue; Telefonatat, posta elektronike (të dekretuem me ligj në Parlament) përgjohen, dhe, edhe ajo pak privatësi që të ka mbetë e ta ka falë i Madhi Zot âsht shkelë dhe napërkâmbë.

Të jetosh në Maqedoni këto ditë nuk e din se si të zen nata e si të zbardh dita. Të gjitha të papritunat e mundshme duhet me i pasë parasysh… Të jetosh në Maqedoni sot thjesht jeta âsht devalvue deri në atë masë – sa që âsht shndërrue në privilegj (tamam si në Gjermaninë naziste dhe Rusinë staliniste), po, po, në privilegj, ngase kur t’iu teket organeve policore mund të ta marrin shpirtin pa dhanë fare llogari dhe madje duke të “shpallë” kontrabandist, terrorist, njeri të rrezikshëm etj…

Cila âsht ana tjetër e medaljes, përkatësisht porosia që përmes likuidimit klasik të komandant Kushtrimit-Harun Aliut dëshiron me përçue  Qeveria aktuale (ku bân pjesë edhe subjekti shqiptar i cili pikërisht “në emën të luftës” dhe “gjakut të dëshmorëve” i muer votat e elektoratit)?

Vrasja e Harun Aliut ka nji mesazh të thellë, ajo tregon se politika dhe konjukturat maqedonase (kësaj here për fat të keq në bashkëpunim me vasalët shqipfolës si në Maqedoni ashtu dhe në Kosovë) nuk ka ndryshue fare mendsinë nga ajo jugosllave dhe se gjaku shqiptarë vazhdon ende me kenë gjaku ma i lirë në faqe të dheut, thjesht sikur me kenë ujë…

Mesazhet tjera që përçon kjo vrasje janë frika, terrori, pasiguria, tensionimi i situatës (edhe ashtu të brishtë) dhe krijimin e të menduemit të shqiptarëve të kësaj hapsine, që vërtetë këto ditë pranvere jetojnë në një shtetrrethim të pa shpallun zyrtarisht – t’i marrin visikat (kësaj here pasaportat biometrike) dhe në pamundësi jetese e në kushte të apart’heidit me ia mësye përsëri emigrimit, por kësaj here jo nga Turqia po diku nga ana perëndimore e kontinentit ma të vjetër në botë…

Harun Aliu nuk ka kenë nji kriminel ordinerë, vrasës apo kontrabandist, jo, njeriu ka kenë themelues i UÇK-së, komandant lufte, atdhetar i përkushtuem, intelektual, lider partie dhe aspak nuk i shkojnë etiketimet që me ditë të tâna po mundohet me ia mveshë politika zyrtare maqedonase, bashkë me amin-in që merr nga vasalët e saj shqipfolës qofshin ata të këtushmit apo të Kosovës. Po bajmë nji digresion, supozojmë se âsht marrun me armë dhe tân ato akuza qi po ia bajnë i ka bâ, atëherë sipas ligjit ndërkombëtar (nënshkrues i të cilit âsht edhe vetë Maqedonia) i njajti pra âsht dashtë me u neutralizue dhe me u kapë e me u xjerrë para organeve të drejtësisë. (Këtë gja e tha edhe aktivistja e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut z. Najçevska). Mirëpo, për fat të keq Maqedonia âsht siç thotë publicisti K. Mehmeti “Atdheu që të ekzekuton.”

Çâshtja shkon edhe mâ tej… Vizita e numrit nji të policisë kosovare, një ditë pas vrasjes së 4 shqiptarëve, njâni nga të cilët ishte shtetas kosovar, sa vin e i ban gjânat më të tollovituna… Ministri i Kosovës le që nuk tregoi aspak interesim e as kërkesë nga koleg-ja e tij maqedonase Jankullovska për shtetasin e tij të vrarë (siç me të drejtë ia tha në një debat televiziv K. Mehmeti), por ia shkoi edhe një hap mâ tej “në emën të kooperimit policor kosovaro-maqedonas” –  mori edhe një listë tjetër që në një të ardhme të afërt, sërish me prue të paprituna tjera dhe mjegull…

Këtë pranverë të përgjakun[2], gjânat janë kah po e marrin tatëpjetën tuj fluturue… Maqedonia po shfaq muskujt e saj, në pamundësi të shfaq dhe zgjidh konteste ku vërtetë do të duhej me i shfaq, siç âsht çashtja e emnit me Greqinë, ajo e Kishës me Serbinë apo e kombësisë me Bullgarinë, ose në planin e mrendshëm: implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila askundi nuk âsht, ajo asht tuj vazhdue me të madhe me i frye zjarrmit, duke ia lejue vetvetes nji lluks të tillë, e duke e harrue fjalën e urtë popullore: Kush luen me zjarrm asht vetë ai qi i pari digjet. 

Politikbânësit shqiptarë në Maqedoni, duke fillue nga participienti qeveritar e më tej (përjashto disa parti të vogla) përfundimisht ngelën pa e dhânë provimin. Ata më nuk kanë se si të kërkojnë vota të shqiptarëve (natyrisht po patën ftyrë, gjâja më e rrallë e mundshme në politikë) – sepse thjesht prej motit 1990 e deri sot, ata asgjâ, ama bash asgjâ nuk i kanë ofrue popullit shqiptarë (zgjedhësve të vet) përveç vrasjeve, bastisjeve, rrahjeve, gjakut, fyerjeve, përbuzjeve dhe devalmimit të skajshëm, tuj fillue nga Ladorishti, Bit Pazari, Universiteti, Gostivari, Tanusha, Sopoti, Brodeci etj.- e deri te Radusha…

Populli njimijë e nji herë âsht tregue ma i pjekun se politikbânësit shqipfolës në Maqedoni. Ai që moti ka maturue me sukses të madh. Askush s’u ka faj politikbânësve shqiptarë që janë gjysmë-analfabetë dhe me diploma të marruna brenda natës dhe jetojnë plotësisht jashtë realitetit dhe rrjedhave…  Ata janë ngujue në kullat e tyne të fildishta dhe bizneset u ecin për merak, pa çka se populli i mjerë ka ngelë në udhëkryq dhe fare pa asnji perspektivë e alternativë të mëtutjeshme…

Rasti i Radushës nxori në sipërfaqe edhe situatën e mjerë të gazetarisë shqiptare duke fillue nga Tirana, Prishtina e gjithandej. Mbizotnoi nji shterpëni dhe indiferentizëm i pa-pâmë, thuaj se nuk ka ndodhë asgjâ, gjâ kjo që tregon se qenia shqiptare âsht tëhuajësue deri në ekstrem… Mirë, në Maqedoni dihet ma botnisht se nuk ka liri shtypi dhe cenzura thjesht të ngulfat, por heshtja e Tiranës dhe e Prishtinës âsht e pafalshme, âsht heshtje qi vret…

Veç ma botnisht âsht e ditun se Shqypnia halâ e ka të vështirë me i shkëput lidhjet e influencës jugosllave, lidhje këta që kanë fillue qysh kur diktatori E. Hoxha themeloi PKSH-në me instruksionet dhe direktivat e shokëve të PKJ-së, emisarëve Tempo, Mugosha dhe Popoviq. Ndaj, nisë nga kjo Shqypnia gjithnja âsht inferiore dhe ka nostalgji për gjithçka që vjen nga republikat e ish-Jugosllavisë, kurse Qeveria kosovare, për fat të keq në raport me çâshtjen kombëtare shqiptare është baraz me 0, kurse në raport me shqiptarët jashtë Kosovës sillet si kosovare e jo si shqiptare, sjellje kjo që fare mirë mundet me u kuptue pa u elaborue ma tutje. Këtu nuk ka kushedi se çfarë filosofie, mjafton me i lexue dhe dëgjue deklaratat e liderit të Vetëvendosjes! A. Kurti, dhe menjëherë ke për me e kuptue se kah po rrugton Qeveria e Kosovës…

Në vjeshtë po bâhen rrafsh 21 vjet nga rrzimi i Murit të Berlinit[3], kurse në Maqedoni mendësia, sjellja, mentaliteti, qasja, opinioni dhe politika alla-komuniste as që duket se qoftë edhe për nji moment të vogël ka ndryshue… Mjerisht kjo âsht e vërteta e hidhun. Gjendjes së mjerueme të ktyne ditëve të pranverës ‘2010 e cila i ngjanë dimnit të acartë të 1956-ës, i bashkangjitet edhe situata e randë ekonomike e cila gati se âsht duke e çue drejt shkopit lypës popullin e kësaj hapësine. Ndaj, siç thashë ma sipër, vrasja e 4 shqiptarëve në Radushë dhe sjellja arrogante e politikës aktuale maqedonase duke fillue nga provokimi që u bâ me Enciklopedinë e deri tek statujizimi i Shkupit, përkatësisht idhujtaria moderne (se s’ke si me e quejt ndryshe projektin monstruoz “Shkupi 2014”) qartë tregojnë se sa âsht sahati dhe si janë tuj’e ec gjânat…

Ç’ka mâ tutje? Me plot të drejtë pyesin të brengosur të tânë: duke fillue nga adoleshentët të cilëve u vritet andrra rinore në mes – e deri te mâ pleqtë që pas nji jete të mundimshme kurrë nuk po arrijnë me e prehë e qetësue shpirtin dhe trupin e lodhun? Ku e ka daljen ky udhëkryq? Kjo udhë ku mbaron? Edhe sa kufoma duhet me i varrosë dhe sa gjak duhet me derdhun për t’i lâjtë dhe ujitë udhët, sheshet, kullotat e tokat tona? Edhe sa vorre duhet me hapë e bijtë tanë mu në lulen e rinisë me ia shty dhandërr tokës? Nga t’ia mësyjmë më tutje? Si me mbijetue?

Ekonomia, siç thashë ma sipër, sa vin e keqësohet, po shkon drejt kolapsit total, politika shtetnore maqedonase kurrë nuk ka kenë më agresive dhe abuzive se sa sot, perspektiva e integrimit euro-atlantik âsht ma larg se kurrë më parë? Brukseli bahet gjithnjë e ma i pakapshëm? Arroganca e Qeverisë gjithnjë vjen tuj u rritë? Me plot të drejtë lindin dhe shfaqen dilema nga ma të ndryshmet…

Qeverisë aktuale të Maqedonisë nuk i mbetet asgjâ tjetër pos që sa më parë me e ndrrue kursin politik që âsht duke e ndjekun, qoftë në planin e mrendshëm qoftë në atë të jashtëm. Implementimi i menjehershëm i Marrëveshjes së Ohrit, integrimi i plotë në strukturat euro-atlantike (qoftë edhe me çmimin e ndrrimit të emnit). Kurse partia politike shqiptare qi âsht pjesë e kësaj Qeverie (BDI) duhet sa mâ shpejt me dalë para publikut dhe nji herë e mirë me u sqarue (zaten kte e ka borxh moral dhe etik ndaj votuesve të vet) dhe me e tregue të vërtetën: Hymë në koalicion pa pasë asnji axhendë apo Kryeministri fare s’na e var? Duhet me u zbardhë kjo gjâ, përndryshe nuk ka pse me ndejtë aty vetëm si dekor. Të thotë hapun dhe prerë: Ka me u realizue Marrëveshja e Ohrit apo janë vetëm fjalë e premtime boshe? Ka me u sjellë ligji për invalidat dhe dëshmorët e ish-pjesëtarëve të UÇK-së? Si ka me përfundue mbajtja peng e të burgosunve të Sopotit, që gati po i mbushin një dekadë që janë duke qëndrue prapa hekurave? Ose, në të kundërtën gjâja ma e mirë dhe e ndershme që i mbetet âsht me dalë hapun para popullit dhe me ia tregue të vërtetën: “Njerëz! Kaq dimë, kaq mundemi.”

Dhe më pas të shqyrtohen mundësitë tjera, siç âsht fjala bie ideja e hedhun kohë më parë nga ish-deputeti H. Shaqiri dhe e përkrahur nga një varg intelektualësh (akademik E. Stavileci etj.) për Federalizmin e Maqedonisë, sepse duhet me e pranue se ka ngecje, dhe kjo ngecje assesi nuk po e gjen zgjidhjen e duhun… Federalizimi kishte me kenë zgjidhje solomonike, sepse shoqnitë multi-etnike, përkundër diversitetit i cili duhej me kenë pasunia mâ e çmueme e bashkëjetesës, në dy vende të Ballkanit: Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë dështoi, dhe u pa qartë se nuk funksionoi, dhe për pasojë eksperimentet e multi-etnicitetit dhe multi-religjiozitet që në themel në këto hapësina, për fat të keq,  janë të destinueme për me dështue.

Sot âsht koha për me veprue, sepse mjegulla e kësaj pranvere që po vonohet më pas mundet me u zgjatë dhe metastazue e gjânat me marrë krejt nji kahje tjetër dhe të paparashikueme… Moti 1956 ani pse âsht i largët dhe personazhi real që u detyrue të shes tân ç’a kishte për me blejtë nji armë e me e dorzue në stacionin e milicisë dhe më pas një herë e përgjithmonë me ia thanë lamtumirën vendlindjes dhe të degdiset dikund tokave të Anadollit – ani pse moti ka ndrrue jetë, ngjarja e tillë, sot mundet prapë me na u përsërit dhe këto skena të trishtueme me u bâ skena të përditshmënisë tonë, dhe ajo që nuk u arrit në elaboratet e Pashiçëve, Grashaninëve, Çubrilloviqëve, Andriqëve, Millosheviqëve sot të bâhet realitet dhe kjo tokë shqiptare të mbetet shkretë dhe pas disa vjetësh (mos e dhashtë i Madhi Zot!) të ketë pamjen dhe fatin e hidhun e tragjik: Medvegja ‘2010 apo edhe ma keq Çamëria ‘2010…

Kambanat po bien, zâni i tyne po dëgjohet larg, por shtrohet pyetja a ka kush që ia ven gishtin kokës, përndryshe populli është sovrani ma i shenjtë: Ai gjykon drejtë, kurrë nuk ka për me e harrue e as për me e falë tân atë që âsht luejtun në emën të tij, kurrë… Nuk kanë thanë kot latinët Vox populi vox Dei.[4]

Me kenë a mos me kenë – sot fshikullon si kamxhik ma fort se kurrë ma parë, kjo dilemë qëndron si shpata e Demokleut mbi kokën e shqiptarit të sotëm në Maqedoni. Pranvera e sivjetme te ma të moçmit i sjell kujtimet e hidhuna të dimnit të acartë 1956, kujtime këto të mbushuna përplot me mallë, vaj e lot, kurse te ma të rinjtë ngren dilemën hamletiane për jetën dhe ardhmëninë e tyne – përkatsisht me vazhdue me jetue pa perspektivë në vendlindje apo me e marrë valixhen dhe njiherë e përgjithmonë me ia thanë lamtumirën tokës nânë…


[1] Serbisht: “Nesër në ora 8 të mëngjesit sille armën tënde në stacionin e policisë!”

[2] Bëhet fjalë për pranverën e vitit 2010.

[3] Muri i Berlinit (gjermanisht: Berliner Mauer) u ndërtua më 13 gusht 1961, ndërsa u shkatërrua më 9 nëntor 1989.

[4] Zëri i popullit është zëri  i Zotit.