Midis të mirës dhe të bukurës

E bukura është besimi i fortë që ke brenda e për diçka, edhe atëherë kur gjithë bota nuk ka besim tek ti

178
Teuta Buçi

E mira dhe e bukura; janë dy shprehje shumë të pranishme në fjalorin e përditshmërisë. Ato i përdorim kur duam të përshkruajmë virtyret apo edhe vlerat e dikujt apo diçkaje. Në këtë mënyrë, mirësia perceptohet si virtyti më i lartë i një njeriu, i cili ngërthen në vete edhe shumë elemente të tjera të tij. Kur kemi të bëjmë me një person, mirësia njejtësohet me butësi, çiltërsi, sinqeritet, padjallëzi… Mirësia është empatike dhe pothujase engjëllore. E ndjen dhe bëhet një me dhimbjen, e përjeton dhe synon që ta lehtëson apo zbeh atë. Dhimbja e rëndon atë, e gërmon, bëhet pjesë e saj dhe lufton që ta zhduk atë.

Mirësia është e natyrshme. Në një mënyrë të pashpjegueshme, një njeri i mirë është çdoherë i mirë. Edhe atëherë kur e nënvlerësojnë, edhe atëhetë kur e paragjykojnë. Është i tillë edhe kur e marrin për dobësi mirësinë e tij. Ai i falë të gjitha dhe të gjithë me një buzëqeshje ikonikee pak enigmatike, e cila fsheh me shumë fanatizëm, irritimin, hidhërimin, revoltëndhe gjithçka që në një mënyrë shumë të qartë, si një pikturë maestrale, e pasqyrojnë sytë.  Ai çdoherë falë, edhe atëherë kur dëshiron të çoj çdo gjë në djall, të ulërij nga thellësia e shpirtit dhe të nxjerr gjithë mllefin që ka, edhe atëhehrë kur nuk do t’ia dijë për asgjë tjetër. Ai gëlltit gjithçka me një frymëmarrje të thellë, edhe atëherë kur durimi po derdh pikat e fundit të kupës së tij, edhe atëherë kur është thyer krenaria e tij, kur është prekur në sedër, kur trajtohet si qenie pa ego dhe pa dinjitet. Ai fal gjithkënd dhe çdo mëkat, fal çdo tradhëti e gënjeshtër. Dhe lodhet së faluri kur kthehet tek vetja. Atë nuk e fal dot asnjëherë. Vetja është i vetmi person ndaj të cilit ai e shpreh gjithë mllefin dhe revoltën që ka. Vetja është i vetmi person që siurren pse është ashtu si është.

Ndërkohë, e bukura ndërtohet me kohë. Ajo ndërtohet nga dështimet dhe rëniet që ke në jetë, pas së cilave ti ke kurajon që të vazhdosh jetën kryelartë dhe i gatshëm për të përballur çdo sfidë që të del para. I gatshëm për të pasur edhe humbje të tjera, deri në triumfin final.

E bukura është egoja e braktisur disa herë, për gjërat që ke dashur vërtetë në jetë. Për gjërat  në të cilat t’i ke besuar verbërisht dhe me sinqeritet fëmijëror. Dhe do ta bëje sërish të njëjtën po të ktheheshe në kohë, edhe atëherë kur pyet veten nëse ia ka vlejtë ajo. Edhe kur je i zhgënjyer e i penduar për të njejtën gjë. E bukura është forca që buron nga vështrimet mospërfillëse, indiferenca nga komplimentet e kota e mosvlerësimet  e padrejta. E bukura është besimi i fortë që ke brenda e për diçka, edhe atëherë kur gjithë bota nuk ka besim tek ti. Ose nuk dëshiron të ketë. Është ëndrra e shkatërruar disa herë dhe ringritja e përsëritshme së njejtës me substanca të reja.  E bukura jo çdoherë është edhe e mirë. Ajo dinë të jetë edhe e ftohtë ndonjëherë, e ndoshta dhe e frikshme. Ajo mund të jetë edhe e rrethuar me mure të larta e porta të hekurta dhe të duket e padepërtueshme. Tani ajo është e trajnuar që të ketë shpresë dhe të jetë shpresë, edhe kur e bën rrugën vetë.

Advertisement

Sepse, e bukura ndërtohet dalëngadalë me copëza të thyera të vetes. Është skulpturë e përbërë nga kalitja e dhimbjeve që ke ndjerë, sakrificave, zërit të padëgjuar e fjalëve të pathëna. Ndodh atëherë kur e pranon jopërsoshmërinë tënde. Kur mbledh gjërat joperfekte dhe i shndërron në një mozaik perfekt. Sepse, e bukura është kryevepra e ndërtuara nga reliktet e së mirës. E i bukur është ai njeri i cili ka një rrëfim të pathënë, e të cilin nuk do ta dëgjosh kurrë të shqiptohet nga ai, por do ta lexosh në  sytë e tij dhe do ta ndjesh me energjinë e ngrohtë që përcjell ai.

Shkruan: Teuta Buçi