Mitsotakis, mesazh Tiranës për negociatat

19

“Asnjë hap para nëse nuk respektohet minoriteti”

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis paralajmëron se nuk do të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, nëse nuk përmbushen kërkesat e minoritetit grek. Deklaratën, shefi i qeverisë greke e bëri në panairin e përvitshëm ndërkombëtar të Selanikut.

Qeveria shqiptare duhet të kuptojë se duhet të ndryshojë drejtim. Sa më shumë provokon apo përdor taktika të papranueshme ndaj minoritetit grek, duhet ta ketë të qartë se nuk do të ketë mbështetjen e Greqisë në hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian”.  

Shefi i qeverisë greke ka shtuar se të njëjtën gjë u ka thënë edhe presidentit francez Macron, Kancelares Merkel dhe kryeministrit holandez, Mark Rutte, me të cilët është takuar ditët e fundit.

Athina e ka shprehur edhe më parë shqetësimin, veçanërisht për vendimet e qeverisë shqiptare për të shndërruar në zona turistike tokat bujqësore përgjatë bregdetit.

Autoritetet greke thonë se qeveria shqiptare u ka hequr minoritarëve grekë në jug të vendit të drejtën e pronës, çka është në kundërshtim me konventat europiane.