Në Kosovë konsumohen 10 milionë kilogramë çaj dhe kafe gjatë një viti

148

Rreth 10 milionë kilogramë kafe e çaj konsumohen nga kosovarët përgjatë një viti. Disa i konsumojnë nëpër shtëpitë e tyre, e të tjerët zgjedhin që t’i pinë në lokalet që i shërbejnë. Aktualisht, në gjithë vendin janë 530 kafene dhe 134 çajtore, ku shërbehet kafe dhe çaj. Së paku aq janë të regjistruara si biznese në ARBK.

Sapo zgjohet, Afrim Krasniqi nga Vushtrria merr rrugën për në çajtoren e Gazmendit që gjendet vetëm pak metra larg shtëpisë së tij.

Tash e sa vite, ai bashkë me shokët takohen sapo zbardh mëngjesi për të pirë çaj.

Shkuarja në këtë çajtore, thonë se iu është shndërruar edhe në shprehi.

Advertisement

Me mëngjes ata telefonojnë njëri-tjetrin, dhe e lënë takimin për te “vendi”.

Për çdo ditë, ata pinë mbi 10 çaja në këtë çajtore, pa llogaritur këtu çajat që i konsumojnë nëpër lokalet e tjera.

“Na si të çohemi puna e parë që e bajmë është me thirr njëri-tjetrin, edhe e lajmë me u taku te vendi. Aty na pret Gazmendi me djalin, edhe na shërben çaja. Na u ka kthy si shprehi, tu ardh përditë. Edhe pse na shkojmë edhe në çajtore tjera, ama çajat e mëngjesit gjithë i pijmë këtu”.

E përveç çajtoreve, ata shpesh i vizitojnë edhe kafenetë e qytetit. Të tilla ka shumë në këtë qytet. Afrimi thotë se të gjithë vushtrriasit i konsumojnë këto produkte në masë të madhe.

Por, jo vetëm vushtrriasve u pëlqejnë kafja e çaja.

Gjithë kosovarët pëlqejnë të nisin ditën në lokale ku shërbehen këto pije. Në tërë vendin, janë mbi 500 lokale të tilla që ofrojnë disa lloje të këtyre pijeve.

E se kosovarët janë goxha të dhënë pas çajit dhe kafes, këtë  e dëshmojnë edhe statistikat e importit të këtyre produkteve që ka siguruar Gazeta Express nga Dogana e Kosovës.

Në Doganën e Kosovës deklarojnë se për çdo vit në vend hyjnë deri në 10 milionë kilogramë kafe e çaj, dhe se për këto produkte shpenzohen me miliona euro nga kosovarët.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci i ka thënë Gazetës Express se gjatë një viti, kosovarët konsumojnë 7.5 milion kg kafe dhe mbi 2 milion kg çaj.

“Gjatë vitit 2018 kemi pasur rreth 6 milion kg kafe te papjekur kurse te pjekur rreth 1.4 milion kg, derisa çaj rreth 2.2 milion kg. Ndërsa, gjatë vitit 2019 kemi pasur rreth 1 milion kg kafe te papjekur kurse të pjekur rreth 230,000 mije kg. derisa sa çaj rreth 200,000 mije kg”, ka thënë ai.

E meqenëse në Kosovë nuk kultivohen këto produkte, vendi e ka të detyruar importin prej vendeve të tjera.

Stavileci deklaron se kafeja që konsumohet në vend vjen nga Brazili, Kostarika e Kameruni, derisa çaji importohet nga Shirilanka.

Ndërkohë, sipas Agjencisë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve(ARBK), në tërë Kosovën janë 530 kafene të regjistruara, ndërkohë që vetëm 470 prej tyre janë aktive.

Numri më i madh i kafeneve gjenden në Prishtinë, përkatësisht 110 kafene. Ndërsa, pas kryeqytetit renditet Prizreni me mbi 70 kafene.

Përveç kafeneve, janë dhe 132 çajtore, prej të cilave 115 vazhdojnë të jenë aktive.

Në bazë të këtyre të dhënave, me numër më të madh të çajtoreve, prin Vushtrria, që njihet ndryshe edhe si qytet ku qytetarët i pinë deri në 70 çaja gjatë një dite. Vetëm në këtë komunë, janë aktive mbi 30 çajtore.

Menjëherë pas Vushtrrisë, renditet Podujeva. Llapjanët brenda ditës i pinë deri në 40 çaja.

Edhe në Mitrovicë duket se konsumohet çaji mjaft shumë. Gjithë kjo në bazë të numrit të madh të lokaleve ku shërbehet çaji, i cili shkon në 26 çajtore.

Por,  përderisa numri i çajtoreve në Vushtrri, Podujevë e Mitrovicë shkon deri në 30, në qytete si Rahoveci, Deçani, Dragashi, Gjakova e Fushë Kosova, nuk figuron asnjë biznes i regjistruar si çajtore.

Ndryshe, vetëm në dy vitet e fundit, sasia e çajit dhe kafes së importuar kap shifrën e mbi 50 milionë euro.