Njohja si fillim

Kosova nuk mund të bëjë ‘’kompromis të dhimbshëm’’ me një shtet që ende nuk i ka kërkuar falje për dhimbjen që i ka shkaktuar Kosovës. Kosova nuk mund të falë akoma dhimbje në një fazë kur ajo më shumë ka nevojë për njohjen e realitetit të ri politik nga Serbia.

224
Majlind Mustafa

Kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë

Paralajmërimi i bisedimeve të reja në mes Kosovës dhe Serbisë, me mundësinë e arritjes së një marrëveshje finale, ka ngjallur reagime dhe shpresa të reja në zhvillimet e rajonit. Edhe pse është vazhdimësi e një dialogu 6 vjeçar, Serbia ka luajtur një rol shumë të brishtë dhe perfid në raport me shtrirjen ndërkombëtare të Kosovës. Le t’i përmendim dy më të rëndësishmet.

E para, Serbia në vitin 2013 ka nënshkruar që nuk do të pengojë Kosovën në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, dhe Serbia jo vetëm që e ka shkelur këtë rregull ajo po ashtu ka bërë edhe një hap tjetër duke bërë fushatë diplomatike tek shtetet ku ajo shtrinë ndikim që të heqin njohjen e shtetit të Kosovës, duke shfrytëzuar miqësitë e vjetra për të përmbushur lëvizjet e saj si dhe probleme të brendshme me veriun e Kosovës, në përpjekje për ta shndërruar atë në “Republika Srpska” te  dytë. Me një fjalë, është shteti Serb i panënshtruari ndaj parimeve ndërkombëtare dhe mos respektuesi i marrëveshjeve bilaterale, obligim ky që buron nga vetë marrëveshja. Por çfarë në të vërtetë do të duhej të kërkonte Kosova nga Serbia?

Njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran

Advertisement

Një nga kërkesat kryesore të cilën Kosova duhet t’ia drejtojë Serbisë është njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia. Sa më parë që ta njoh Kosovën si shtet aq më të vogla janë mundësitë e reja për tensione në rajon dhe aq më të mira janë mundësitë që këto dy shtete të ecin përpara në procesin e integrimit në BE. Pra, duke pasur parasysh edhe sfondin historik të ngjarjeve në të kaluarën, por edhe tensionet aktuale njohja nga Serbia është e pashmangshme. Në të kundërtën tensionet mund të vazhdojnë, për disa arsye, por ajo që duket ndoshta më kryesorja është padyshim edhe roli dhe ndikimi i jashtëzakonshëm që ka Rusia mbi Serbinë. Lëvizjet e fundit diplomatike ruse, për vendosjen e trupave ushtarake në Serbi përbën një lëvizje shumë të rrezikshme për rajonin edhe pse Rusia është e pranishme në territorin serb me “Qendrën Humanitare Ruso – Serbe në qytetin e Nishit.  

Kjo është shenjë e rrezikshme për dy komponentë. Komponenti i parë është që Rusia kërkon një rajon nën tension duke goditur këtu çdo shtet që është pro-antarësimit në NATO dhe BE. Komponenti i dytë, vendosja e Serbisë me shpinë pas muri, duke i krijuar presion të brendshëm, që Serbia duhet t’i  hapë rrugë vendosjes së trupave ruse ne territorin e saj. Një gjë e tillë do t’i siguronte asaj saldimin në binarët i trenit rus si pjesë e rëndësishme operative e diplomacisë ruse. Duke pasur parasysh faktin që Rusia ka një ndikim tepër të madh në kishën ortodokse dhe në qarqe të ndryshme të organizatave jo-qeveritare, kjo po e bën edhe më të vështirë rolin dhe ndikimin e saj në Serbi.

Meqë kushti kryesor për pranimin e Serbisë në BE është njohja e Kosovës si shtet, (ashtu siç është deklaruar nga disa diplomat) Kosova duhet me ngulm dhe kërkesë të qartë të kërkojë se pa njohje nuk duhet të ketë asnjë lloj marrëveshje tjetër. Në të kundërtën të gjitha përpjekjet dhe aventurat për “korrigjim kufijsh” ose “shkëmbim territoresh” do shkaktojnë precedente të tjera të rënda. Nëse Kosovën nuk e njeh ajo që i ka shkaktuar dhe po i shkakton kokë-dhembje, nuk ka rëndësi nëse ajo merr njohje nga Qiproja, Greqia apo vende tjera që nuk e kanë njohur deri më tani. Ajo që e mban të ndezur gënjeshtrën nacionaliste serbe dhe ajo që e mban Serbinë ende në këmbë është pikërisht fakti i mos pranimit të realitetit që ajo duhet ta njoh Kosovën. Stabilitieti rajonal arrihet veç me njohje reciproke.

Kërkesa për dëmshpërblim nga dëmet e luftës

Një temë tjetër e rëndësishme, e që është anashkaluar bukur mirë, është tema e të pagjeturve të luftës. Kosova duhet t’i kërkoj Serbisë llogari për fatin e të pagjeturve.  Nuk ka për nevojë për trysninë e ndërkombëtarëve, kjo duhet të kërkohet nga vetë Kosova. Një kërkesë të tillë nga shtetet baltike si Estonia, Lituania dhe Letonia, ku këto të fundit bënë një deklaratë të përbashkët në Riga, përmes ministrave të drejtësisë së tre shteteve baltike i drejtuan kërkesën Rusisë për të paguar reparacione (për dëmet e luftës dhe shkatërrimet) për periudhën kur Estonia, Letonia dhe Lituania kanë qenë nën pushtimin sovjetik. Kjo kërkesë përbën një akt të rëndësishëm, diplomatik dhe juridik. Serbia deri më tani ka pasur luksin e të qenit “agresor i paprekshëm” duke qene shteti që ka bërë gjenocid në shtetet që u ndan nga ish – Jugosllavia, ajo deri më tani nuk ka paguar asnjë dëm. Kosova duhet ta detyroj Serbinë për kërkim-falje për krimet e kryera ndaj civilëve në Kosovë. Në çdo rrethanë Serbia ka mohuar të ketë bërë gjëra të tilla, duke mos pranuar asnjë faj. Kujtoj rastin në lokalin ‘’PANDA’’ në Pejë ku u vranë djem të rijnë serb, nga ana e shtetit serb vetëm e vetëm për të nxitur tensione dhe trazira, për të ndezur flakën e vrasjeve dhe masakrave në territorin e Kosovës. Rast tjetër është aksioni dhe plani famëkeq  nën emrin ‘’PATKOI’’, projekt ky i hartuar nga Millosheviqi për dëbimin dhe vrasjen masive të shqiptarëve, masakra e Reçakut, masakra e Loxhës, ajo e Qyshkut në Pejë dhe shumë dëshmi tjera për vrasje ç’njerëzore, me ç’rast shteti Serb nuk e ka parë asnjë herë të arsyeshme dhe të moralshme që të kërkojë falje.

Luginëa e Preshevës

Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet në sirtar për diplomacinë shqiptare. Lugina e Preshevës, po përdoret si ‘’mish për top’’ duke e futur atë në kombinatorikat e “shkëmbimin e territoreve” me pretekstin që Serbia do t’ia jap Luginën e Preshevës. Lugina e Preshevës nuk është emocion që duhet përdorur për përfitime politike apo ndezje të masës, për të na bërë qejfin se ajo është e jona, por është çështje shumë serioze e cila duhet të ngrihet si shqetësim në diplomacinë europiane. Në anën tjetër Serbia me vite po e përdor si presion diplomatik veriun e Kosovës, duke e shndërruar atë në një ‘’Republika srpska’’. Ata flasin hapur edhe në zyrat e Bashkimit Evropian por edhe në takimet në mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e veriut.

Pas tërheqjes së kryetarëve të Komunave serbe dhe ndërprerjes së çdo lloj raporti me institucionet e Kosovës, pas vendosjes së taksës nga ana e qeverisë së Kosovës, i menjëhershëm ka qenë reagimi i BE-së ku kërkon të tërhiqen taksat ndaj Serbisë. Serbia ka përdorur jo rrallë herë dhunë policore në Luginën e Preshevës, duke dashur t’i diskreditoj deri në palcë shqiptarët që jetojnë atje dhe duke bërë kështu një presion që shqiptarët e Luginës së Preshevës mos të ngrenë zërin tek faktori ndërkombëtar dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, ashtu siç po i kërkon Serbia të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës kanë shfaqur një kërkesë të drejtë për bashkëngjitje me Kosovë si një trung i pandashëm i territorit shqiptar. Kujtojmë gjithashtu edhe aktin më të rëndësishëm politik të kësaj popullate e cila më vitin 1992 kanë realizuar referendumit për bashkim me Kosovë. Në vitin 2000-2001 në Luginë të Preshevës u zhvillua edhe lufta e armatosur në mes UÇPMB-së dhe ushtrisë Serbe në zonën e 5 kilometërshit në mes Serbisë dhe Kosovës.

Pse Kosova dhe Shqipëria asnjëherë nuk e diskutuan fare problemin e Luginës së Preshevës në takimet me Beogradin në BE!? Nuk duhet të ketë asnjë kompleks diplomatik në këto lloj kërkesash, sepse fatkeqësisht Kosova deri më tani ka pasur rolin sikur të jetë agresori dhe jo viktima siç është Serbia. Pse asnjëherë nuk u hap si çështje problemi i Luginës te cilët janë shumëfish më të shtypur nga Serbia sesa serbet në Kosovë që kanë të drejta shumë të mëdha.

Korrigjimi i kufijve dhe njohja si fillim

Historikisht çështjet e kufijve janë ato më të ndjeshmet dhe më të vështira në marrëdhëniet midis shteteve dhe se numri më i madh i luftërave janë zhvilluar për kufij.  Ideja për korigjimin e kufijve erdhi befasisht nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në verën e vitit 2018.  Edhe pse tingëllonte si një trill politik megjithatë kjo ide nuk është e re.

Çështja e kufijve, nuk është diçka e re bile edhe në Ballkan, mjafton ta kujtojmë momentin kur kryeministri i atëhershëm maqedonas Lupço Georgievski i paraqiti Shqipërisë idenë për shkëmbimin e territoreve ose korrigjimin e kufijve (këtu duhet përmendur fakti se Shqipëria dhe Maqedonia kanë njohje reciproke dhe jo si në rastin e Kosovës me Serbinë). Historia na ka treguar se ndryshimi ose korrigjimi i kufijve është një lojë e madhe diplomatike, e cila disa herë është paguar edhe me kosto të larta, ne kemi raste ku ndryshimet e kufijve në Ballkan kanë rezultuar me luftë por edhe me vendosjen e fuqive të mëdha, siç mund të përmendim këtu konferencën e Londrës. Pra, ndryshimi i kufijve përpara se të jetë një lojë e vogël, është vendosje e fuqive të mëdha, një lojë e madhe gjeopolitike, dhe nuk është një lëvizje e vogël e politikes së “pazareve private”, ose e ‘’marrëveshjeve të mëhallëve’’ dhe në këtë kontekst, ajo që duhet analizuar është edhe roli i ndërkombëtarëve dhe dëshira e tyre që kjo të ndodh.

Tani janë hedhur disa deklarata të cilat tashmë janë të qarta se Gjermania dhe Britania e Madhe  janë kategorikisht kundër kësaj ideje. BE-ja ka shfaqur një dëshirë më pozitive për të ndodhur kurse SHBA-ja konsiderohet në njëfarë mënyre mbështetësja e kësaj ideje. Presidenti Hashim Thaçi, ka deklaruar se Amerika mbështet idenë e korrigjimit të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, por me aq sa unë kam ndjekur deklaratat nuk ka asnjë qëndrim të prerë nga Amerika për këtë çështje, madje ata më shumë po e shqyrtojnë që jo çdo variant do të jetë i pranueshëm, dhe gjithashtu ata nuk shprehen qartazi nëse ky veprim është i duhur, pra mbetet një marrëveshje në mes Thaçit dhe Vuçiçit (që sipas tyre duket shumë i nevojshëm) që më shumë i ngjan një “pazari privat” sesa një lëvizje e duhur. Shpërfaqjen e këtij problemi si lojë e forcon edhe argumenti kur presidenti Thaçi flet për një “kompromis të dhimbshëm”. Kosova nuk mund të bëjë ‘’kompromis të dhimbshëm’’ me një shtet që ende nuk i ka kërkuar falje për dhimbjen që i ka shkaktuar Kosovës. Kosova nuk mund të falë akoma dhimbje në një fazë kur ajo më shumë ka nevojë për njohjen e realitetit të ri politik nga Serbia. Kosova ka kaluar etapat e ‘’kompromiseve të dhimbshme’’ fillimisht me pakon e Ahtisarit që pranoj t’i lëshonte pakicës serbe për mandatet e rezervuara në kuvend, më pastaj me rolin e tyre bllokues në parlament dhe kompromisi tjetër ajo e demarkacionit me Malin e Zi. Në raport me idenë e këmbimit të territoreve, ku në lojë futet edhe Lugina e Preshevës, të paktën presidenti Vuçiç e ka mohuar kategorikisht, shkoqjen e Preshevës nga territori i Republikës së Serbisë.

Për Serbinë kjo nuk është diçka për tu habitur kur jemi tek territori i Kosovës, për shkak se Serbia ende vazhdon ta mbajë Kosovën ne kushtetutën e saj si pjesë e territorit të saj, prandaj në pikëpamjen e ndonjë fitoreje të territorit të Kosovës nga ana e Serbisë nuk do te ishte diçka që do të habiste politikën serbe, sepse ato vazhdojnë të kenë në kontroll veriun e Kosovës, ku kanë shkaktuar jo pak probleme të brendshme në Kosovë të dirigjuara nga vetë Beogradi.

Për t’i zhbërë të gjitha këto lojëra, me që edhe është krijuar momenti politik, Kosova duhet të kërkoj njohjen e pavarësisë së saj nga ana e Serbisë me qëllim të krijimit të stabilitetit rajonal dhe mundësisë së vazhdimit të bisedimeve në raport të ndërtimit të marrëdhënieve të mira me Serbinë përmes dialogut midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane.