Nostalgji Ramazani

160
Latif Mustafa - Foto: ©Rromir Imami

Shfaqja e shpeshtë e nostalgjisë tek një individ ska se si të intepretohet ndryshe veç si shenjë e pleqërisë. Muaji Ramazan në vete është disi nostalgjik. Është i tillë, krijon reminishencë ngaqë thelbi i tij është metafizik dhe tek individi që e përjeton atë, në formë të një intuite të mprehtë, i shfaqen imazhe të përthyera të origjinës dhe prejardhjes tejhapsinore dhe tejkohore. Duke qenë në një bjerrje të brendshme shpirtërore i mbështjellë brenda dyshimit se unë nuk i takoj kësaj bote.

Ramazani në kujtimet e gjeneratës sime është diçka dimërore, i përket stinës së ftoftë me çrast oxhaku i shpisë, votra në të cilën përgatitej darka e iftarit, na tubonte reth e përqark. Familja ishte në formë rrethi, figurë e përkryer gjeometrike. Familja ishte sofra. Para se të shtrohej sofra, shtrohej sofrabezi me katrore të kuqe në të bardha, për t’u tërhqur para prehrit. Sofrat ishin dy lloj: Sofra e madhe dhe e vogël. E madhja kishte ngjyrë unike, e ruajtur, e shtrënguar fort dhe përdorej për mysafir. Sofra e vogël ishte me e regjur, e që shpesh i dëgjoheshin edhe kërcëllimat sepse kishin luhatje milimetrike, krejt normale për një sofër të përditshme. Ato, nuk përdoreshin vetëm për drekë e darkë, por në to përgatiteshin edhe turshitë, grihej lakra me sëpata të vogla, mishi i kurbanit dhe bluarja e specave për ajvar.

Iftaret ishin të bollshme dhe me lloj-lloj ushqimesh tradicionale si sarma, pasul në tavë, jani, qofte në lëng dhe mish pule me oriz. Në fund të darkës me mish pule dhe oriz, thyhej edhe jadeci. Për ëmbëlsirë, tespishte, sheqerpare, tatli, sytlyjash, hallvë e nganjëherë edhe kadaif. Supa bëhej me lëngun e mishit të zier, kurse çorba ishte më speciale dhe më e trashë. Nuk mungonin as turshitë e as bylmeti. E gjithë kjo kurorëzohej me ceremoninë e çajit pasi të ishte ngritur sofra e të ishte pastruar qilimi me gërr-gërr. Troshkat e sofrabezit shkundeshin jasht për shpezët.

Syfyri. Nanat zgjoheshin më herët e nxinin bukën ose ndonjë pogaçë. Mantitë ishin specialiteti i syfyrit. Por zakonisht parapëlqeheshin gjëra më të lehta, në formë të kafjallit. Për syfyr shtrohej sinija, një enë e hekurit ose bakrit, e sheshtë dhe me vizatime të këndshme simetrike në formë petale lulesh. Perimetri i sinisë ngjyrosej me kuq, sipërfaqja e saj ishte e bardhë me stilizime me ngjyrë të kuqe. Të gjithë rreth sinisë, gjysmë të fjetur, përzienim çajat. Herë hanim edhe përsheshe me kos, me tomël e me çaj. Përsheshit me çaj i hidhej edhe sheqer. Në fund uji dhe dëshira për ta kapur gjumin aty ku e linim.

Advertisement

Kujtimet nuk mbarojnë këtu. Mysafirët ishin një tregim i veçantë. Ramazanet e sotme nuk i ngjajnë fare ramazaneve të dikurshme, mbase çdo kohë i ka përjetimet e veta. Sot bëhet iftarë edhe në rrugë, mijëra njerëz hajnë iftarë në rrugë një prakitkë irrituese sado që mund të të krijoj njëfarë socializimi ky event. Hahet edhe nëpër restorante. Normalisht secili bën zgjedhjen e tij. Por ama iftari është diçka shumë intime, shumë unike. Shakatë, “nxëniet e ramazanit” para iftarit dhe të qeshurat pas iftarit, ishin prakikta sublime që shtonin dashninë dhe forconin lidhjen familjare, brenda votrës dhe përreth sofrës. E tërë kjo ndjenjë dhe ky përshkrim i sipërm s’ka se si të interpretohet ndryshe përpos si venitje e ndjenjës së përkatësisë ndaj kësaj bote. Çdo ditë e më tepër, më të huaj bëhemi!

Shkruan: Latif Mustafa