Parku nacional i Mavrovës, perla turistike e Maqedonisë së Veriut (VIDEO)

Parku Kombëtar i Mavrovës, i shtrirë rrëzë maleve të Sharrit, Korabit e Bistras, mbulon pjesën më të madhe dhe më të bukur të Maqedonisë Perëndimore

188

Parku Kombëtar i Mavrovës, i shtrirë rrëzë maleve të Sharrit, Korabit e Bistras, mbulon pjesën më të madhe dhe më të bukur të Maqedonisë Perëndimore, përgjatë kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë.

Parqet, Qendra e Skijimit, Liqeni i Mavrovës dhe liqejt dhe lumenjt tjerë që përshkojnë këtë rajon, e bëjnë Parkun Kombëtar të Mavrovës destinacion për mijëra turistë që vijnë nga të gjitha vendet e rajonit.

Liqeni i Mavrovës ndodhet në lartësi mbidetare 1200 metra, në mes të pyjeve dhe maleve të larta. Është liqe artificial, i bukur, 10 kilometra i gjatë dhe 3-5 kilometra i gjerë, i ndërtuar në vitin 1947.

Në malin Bistra ndodhet një prej qendrave më të mira të skijimit në Ballkan, ku mund të ngjiteni me teleferik dhe të skijoni në lartësinë mbidetare 1200-1800 metra, ditën dhe natën, meqë i gjithë terreni është i ndriçuar.

Advertisement

Nëpër Parkun Kombëtar të Mavrovës gjarpëron edhe Lumi i Radikës dhe disa lumenj tjerë të cilët përshkojnë luginat e këtij parku të pasur edhe me ujvara të vogla dhe shpella me karakteristika të veçanta.

Rajoni i Mavrovës ka disa hotele të bukura dhe bujtina të shumta që veçohen për nga kuzhinat, sidomos për përgatitjen e peshkut vendor, të rritur në liqenin artificial dhe lumenjt e Parkut Kombëtar.

Flora dhe fauna është shumë e pasur, prandaj në Parkun Kombëtar të Mavrovës, që ka mbi 52 maje më të larta se 2000 metra, drerë e shqiponja me shumicë, vizitorët janë të shumtë gjatë secilës stinë të vitit.