Patriotizmi ekonomik

Patriotizmi është një term që shënon një ndjenjë pozitive dhe një qëndrim mbështetës ndaj "atdheut" nga individi ose grupi. Patriotizmi nënkupton qëndrime të tilla, si: krenaria për arritjet në sferën e kulturës, dëshira për ta ruajtur karakterin dhe themelin e kulturës dhe vetë-gjetjen e individit në interesin e kombit.

104
Abil Baush

Këto ditë në Shqipëri kemi një gjendje të tensionuar politike, e cila karakterizohet me diçka të pazakontë, si dorëheqja ose djegia e mandateve të deputetëve të opozitës. Vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve, ndërsa në anën tjetër në mediet sociale, të shkruara dhe elektronike, zhvillohet një fushatë e paparë për atë se kush është tradhtar, e kush më shumë a më pak patriot. Në këtë garë nuk zgjidhën as burimet, e as metoda për “t’i mposhtur” kundërshtarët dhe, si gjithmonë, edhe njëra palë është “për BE dhe NATO”, edhe tjetra është “për BE dhe NATO”. Janë edhe disa të tjerë, që për të shpëtuar nga burgu, thonë: ” bojkotoj gjithçka”. Secili nga këto subjekte politike dëshiron të paraqiten si patriotik dhe secil mendon se gjithçka që ata propozojnë është gjëja më e mira për shtetin. Secili dëshiron të paraqitet njëfarë patrioti. Por, çfarë në të vërtetë është patriotizmi?

Patriotizmi është një term që shënon një ndjenjë pozitive dhe një qëndrim mbështetës ndaj “atdheut” nga individi ose grupi. Patriotizmi nënkupton qëndrime të tilla, si: krenaria për arritjet në sferën e kulturës, dëshira për ta ruajtur karakterin dhe themelin e kulturës dhe vetë-gjetjen e individit në interesin e kombit. Patriotizmi, gjithashtu, thotë se individi duhet t’i vendosë interesat e kombit përpara interesave personale ose interesave të një grupi ose partie të veçantë. Gjatë luftës, sakrifica për atdheun mund të shkojë deri në vetëflijimin e individit. Vdekja në betejën për atdhe është një lloj i rrënjosur i patriotizmit ekstrem.

Është një thënie se “njerëzit me pagë prej 200 euro flasin për nacionalizëm, ata me pagë 400 euro flasin për patriotizëm, kurse ata që kanë pagë mujore prej 1,000 euro diskutojnë për nutricionizëm”. Mënyra e tillë e vendosur e të kuptuarit të temave të jetës e përcakton dëshirueshmërinë e jetës. Me një fjalë, a është paga shkak i patriotizmit apo patriotizmi është shkak për paga të mira? Patriotizmi ekonomik ndryshon nga kuptimi i patronazhit ose i patriotizmit “të zakonshëm”. Patriotizmi ekonomik nuk definohet me qëllime, por me mjete të përdorura për të arritur qëllimet e përcaktuara. Kemi raste, si shembull, kur shteti mbështetet në investimet e huaja, që do të thotë se në projeksionet buxhetore ka gjithmonë mjete për kredi ose investime të huaja, që do të paguhen ose financohen nga gjeneratat e ardhshme. Patriotizmi ekonomik është e kundërta: investimet financohen nga potenciali kombëtar ekonomik dhe ai i biznesit, kjo nëpërmjet një mbështetjeje të qartë politike për NVM-të (Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme) në funksion të inkurajimit të konkurrencës dhe përcaktimit të rregullave të lojës që do të zbatohen për të gjithë në mënyrë të barabartë.

Në historinë post-komuniste të Shqipërisë asnjë nga qeveritë që e drejtuan vendin nuk mund të konsiderohet e të trajtohet si patriotike. E themi këtë, sepse nuk ata arritën të mbledhin forcat nga krijuesit e politikave ekonomike të shtetit dhe ata që janë përgjegjës për zbatimin, modernizimin dhe debyrokratiozimin e aparatit shtetërore, rregullues dhe operacional të aktivitetit ekonomik, e cila – nga ana tjetër – do t’i kishte mundësuar shtetit të vazhdojë me rritjen ekonomike, rritjen e vendeve të punës dhe arritjen e mirëqenies sociale me një numër të madh të përfaqësuesve të klasës së mesme. Për të zhvilluar një politikë të tillë ekonomike, shteti do ta kishte mbajtur vendin qendror dhe do ta kishte rolin kryesor si kontrollues i rregullave të lojës. Një gjë e tillë do ta kishte stimuluar edhe sundimin e ligjit dhe ashtu Shqipëria do të kishte qenë një vend tërheqës për investime, tërheqës për kompanitë e huaja, si  dhe për fondet të ndryshme të investimeve. Grupe të ndryshme të lobit të biznesit, nga sektorë të ndryshëm të bizneseve, i kanë kundërshtuar këto zhvillime dhe kjo është e qartë për këdo që ka njohuri themelore të ekonomisë dhe të ligjit. Rezultatet e dobëta dhe efektet e rënda ekonomike të vendit kanë pasuruar vetëm grupe të caktuara të biznesit.

Advertisement

Mos të keqkuptohemi: investimet e huaja, që i përmendëm më sipër, janë më se të nevojshme për Shqipërinë, andaj patriotizmi ekonomik nuk duhet të reduktohet dhe ta ndalojë hyrjen dhe qarkullimin e kapitalit të huaj. Përkundrazi, përmes patriotizmit ekonomik, domethënë përmes bashkëpunimit të ngushtë midis shtetit dhe sipërmarrësve, duhet të krijohen politikat ekonomike për pushtimin e tregut vendas, për të vazhduar më tej me tregjet e huaja. Ndërmarrjet inovative të vogla dhe të mesme, që duhet të të shpijnë drejt patriotizmit ekonomik, gjithashtu duhet të jenë prioritet në fokusin e politikave qeveritare. Inteligjenca ekonomike dhe financiare, që i menaxhon NVM-të, së bashku me administratën shtetërore, duhet të vihet në komunikim të fuqishëm, publik dhe transparent, e cila do të transferohet në një trend modern në drejtimin e ekonomisë dhe ta zë hapin me trendët botërore financiare dhe investuese. Kjo mund të vërehet në aspektin e gatishmërisë për ta forcuar pavarësinë financiare të shtetit, nëpërmjet veprimit të përbashkët të administratës shtetërore, sipërmarrësit, sektori financiar, si dhe përmes përfshirjes së kapaciteteve të universitetit dhe kapaciteteve akademike në të gjithë procesin. Si mund të presim që një vend i vogël si Shqipëria t’u rezistojë të gjitha sfidave globale pa pasur sinkronizim të aktiviteteve ndërmjet të gjitha palëve të interesuara? Rezultatet ekonomike dhe financiare për dekadat e fundit konfirmojnë vetëm se secila palë i mbron interesat e saj, pa e parë fotografinë e madhe të progresit ekonomik të vendit.

Çdo vend ka të drejtën dhe, gjithashtu, detyrimin të forcojë ekonominë dhe sovranitetin e zhvillimit të vet, duke i forcuar kapacitetet dhe kushtet për zhvillim ekonomik, i cili do t’i ruajë qëllimet e veta strategjike, për të promovuar një partner serioz në tregjet ndërkombëtare, pa e sjellë veten në një pozitë të varur për t’i shitur interesat shtetërore ekonomike, sepse do të jetë e pakuptimtë t’i shpenzojë paratë e taksapaguesve për të tërhequr disa investime të huaja të llojeve të ndryshme. Patriotizmi ekonomik është i zbatueshëm dhe i kuptueshëm nëse vendoset në themele të rënda si risi (inovacione), konkurrencë, sundimi i ligjit dhe mbështetje e plotë e administratës dhe e institucioneve shtetërore. Këto themele, jo vetëm që nuk u vendosën, por ato vazhdimisht ishin të penguara për mos ta parë dritën e ditës, pasi ajo do t’i kishte penguar elitat politike për t’u pasuruar dhe për të shpërlarë paratë. Por, do të ishte e drejtë që, tre dekada pas demokratizimit të vendit, të zotohemi për të ndërtuar një kulturë të përbashkët të pushtetit, respektit reciprok, gjegjësisht konkurrencës, duke u liruar nga prangat e inferioritetit dhe nënshtrimit. Një situatë e tillë në mënyrë të pashmangshme do të rezultojë në sukses kombëtar në plani ekonomik dhe financiar.

Për ta përmbledhur gjithë këtë, ekonomitë e fuqishme moderne nuk janë krijuar pa ndërmarrjen e rreziqeve të mëdha dhe pa e vendosur në thelb ose në paradigmën e tyre interesin e plotë shtetëror. Këto ekonomi nuk janë të bazuara vetëm në kompanitë e mëdha, për çka shpesh gabohemi në vlerësimin e tyre, por ato mbështeten dhe në strategjitë e zhvillimit të NVM-së, ndërmarrje këto që shtrijnë një potencial të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës dhe zgjerimin e shtresës së mesme shoqërore.

Patriotizmi ekonomik duhet t’i ndihmojë NVM-të për të zhvilluar një mjedis të shëndetshëm ekonomik dhe të konkurrencës, për të arritur madhësinë e duhur dhe fuqinë për t’u shtrirë edhe në tregjet ndërkombëtare, duke e përfaqësuar kështu vendin e tyre me krenari.

Banaliteti dhe injoranca, përmes akuzave të ndërsjella, nuk mund të jenë përcaktuese të patriotizmit, sepse patriotizmi i vërtetë është vetëm patriotizëm ekonomik. Shqipëria, për më shumë se kaq, ka nevojë për një patriotizëm të dendur ekonomik. Në të kundërtën, përmes destabilizimit, s’do të kemi as shtet e as ekonomi.

Shkruan: Abil Baush