Pollozhani: Dështuam në ndërtimin e shtetit ligjor

94

Edhe pas gati tre dekadash nga pavarësia, Maqedonia nuk ka arritur të bëhet shtet i së drejtës, në të cilin mbizotërojnë ligjet, tha profesori Bajram Pollozhani. Problemi kryesor për këtë situatë, sipas tij, është mentaliteti dhe mungesa e vullnetit politik për ndërtimin e institucioneve të forta.

“Nuk po ia dalim disi, për shkak të mentalitetit tonë ballkanik, ose për shkak të subjekteve politike ende të pazhvilluara, parti që pushtetin duhet të konsumojnë në dobi të qytetarëve dhe shtetit si entitet. Për fat të keq, kjo nuk ndodhë. Secila parti që vjen në pushtet, qoftë OBRM-PDUKM apo LSDM, dhe me pjesëmarrje shumëvjeçare në atë pushtet nga një ose dy parti shqiptare ajo që e presim nuk ndodh, por madje kemi abuzime edhe më të mëdha në ushtrimin dhe konsumimin e pushtetit në të gjitha institucionet. Ne i kemi degraduar institucionet”, theksoi Bajram Pollozhani – profesor universitar

Si shembull të mirë në luftën për shtet juridik, Pollozhani përmend formimin e Prokurorisë Speciale, por konstaton se me paraburgimin e Katica Janevës për rastin “Reket”, nga institucion shpresëdhënës, Specialja tani më është komprometuar. Pollozhani ka vërejtje edhe për faktin që ligjet më të rëndësishme miratohen me marrëveshje politike.

“Miratohen ligje reformuese me marrëveshje politike, me amnisti, me disa koncesione dhe formohen dispozita, ligje që në fund nuk zbatohen…nëse dështon edhe ky proces tani, nuk shoh asgjë tjetër, vetëm se menaxhim të institucioneve me ekspertë të huaj. Të kërkohen edhe në Prokurori edhe në sistemin e gjyqësorit ekspertë të huaj, kurse që të bëhet kjo, duhet të ketë ndryshime me legjislacion dhe në Kushtetutë sepse edhe më tej kërkohet shtetësi për bartësit e këtyre posteve, që do të thotë se vështirë mund të kemi prokuror special dhe tribunalë speciale me mbështetje kadrovike ndërkombëtare”, u shpreh Bajram Pollozhani- profesor universitar

Pollozhani gjithashtu paralajmëron se shteti po zbrazet edhe nga kapacitetet juridike, me çka ndërtimi i institucioneve të sistemit do të vazhdoj, siç thotë, me kuadro të dyshimtë. Ndryshe, sundimi i të së drejtës si term sot ishte pjesë e pandashme në të gjitha fjalimet politike në shënimin e Ditës së pavarësisë.