Qeveria e Maqedonisë së Veriut me ministri për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive

Me ndryshimet propozohet të krijohet ministri për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive. Bëhet fjalë për dy pika që janë vendosur për rend dite në seancën e Kuvendit më 14 mars

133

Grupi i deputetëve të shumicës, deputetët Artan Grubi, Zeqir Ramçilloviq, Xhevat Ademi, Rexhail Ismaili, në Kuvend propozuan ndryshime në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve shtetërore dhe në Ligjin për qeveri. Me ndryshimet propozohet të krijohet ministri për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive. Bëhet fjalë për dy pika që janë vendosur për rend dite në seancën e Kuvendit më 14 mars.

“Për shkak funksionimit të shtetit në punët lidhur me sistemin politik, zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe parimet që dalin nga kjo marrëveshjes, si dhe avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ishte e nevojshme të krijohet ministri e re për sistemet politike dhe marrëdhënie mes bashkësive”, shkruan arsyetimin ligjor.

Krahas këtyre ndryshimeve në Ligjin e organizimit dhe punës së organeve shtetërore, deputetët propozojnë edhe ndryshime në Ligjin për qeveri. Qëllimi i këtij Propozim-ligji është të bëhet harmonizimi me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për organizimin dhe punën e organeve shtetërore, ku parashihet krijimi i një ministrie për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive.

Në dy tekstet e Propozim-ligjeve propozohet fshirja e Sekretariatit për zbatimin e marrëveshjes së Prespës. Propozim-Ligji siguron mjete financiare shtesë nga buxheti i shtetit. Ky ligj hyn në fuqi në ditën e tetë pas shpalljes në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, dhe do të nis me punë më 1 qershor të këtij viti.

Advertisement