Tahiri: PDK dhe LDK me marrëveshje të fshehtë mund të rrëzojnë Qeverinë Haradinaj

“Tani kjo qeveri mund të rrëzohet jo prej votave të opozitës, por prej një koalicioni joparimor pozitë – opozitë, ashtu siç është rrëzuar qeveria Mustafa”, ka thënë Tahiri.

120

Politologu Ramush Tahiri ka paralajmëruar se kryeministri Ramush Haradinaj mund ta ketë fatin e ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Ai ka thënë se qeveria aktuale mund të rrëzohet vetëm nga një koalicion joparimor pozitë – opozitë.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka kritikuar qeverinë dhe subjektet opozitare.

“Tani kjo qeveri mund të rrëzohet jo prej votave të opozitës, por prej një koalicioni joparimor pozitë – opozitë, ashtu siç është rrëzuar qeveria Mustafa”, ka thënë Tahiri.

Advertisement

Ai ka deklaruar se në momentin që PDK-ja siguron partnerin politik për qeverinë e ardhshme, ajo mund ta rrëzojë qeverinë.

Sipas Tahirit, një bashkëpunim PDK – LDK mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

“Tani ka mbetur të bëhet vetëm një marrëveshje e fshehtë PDK – LDK dhe qeveria të bie nesër. Kjo nuk është një strategji, por interes pragmatik. Bisedimet në këtë bazë janë duke u zhvilluar. Në atë moment që PDK-ja e siguron një mbështetje për ta krijuar qeverinë pas zgjedhjeve me LDK-në, menjëherë ajo e rrëzon qeverinë. PDK-ja nuk ka asnjë interes të qëndrojë në qeveri dhe për ta forcuar Ramush Haradinajn, ose për t’i duruar kritikat publike të Haradinajt derisa janë në koalicion bashkë”, ka thënë Tahiri.

Më tej, ai ka kritikuar edhe qasjen e opozitës ndaj qeverisë.

Sipas Tahirit, opozita e vendit është e përçarë dhe kryeneçe. “Opozita është e përçarë dhe kryeneçe, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja. Vetëvendosja jeton në revolucionarizëm, i cili është anakronik për kohën e sotme, kurse LDK-ja jeton në shpirt të Rugovës dhe në të kaluarën e saj, pa ndonjë plan strategjik për të ardhmen dhe pa ndonjë reformim të thellë. Pra, është një politikë meskine e këtyre dy partive”, është shprehur Tahiri.