Valbona

277
Gena Bakiasi

Valbona është një grua me sharmin e Gadishullit Ilirik plot ujëra dhe freski myshku. Të vjen njëlloj zilie me dashuri kur e sodit bukurinë e saj. Natyra në një vend të vogël të lakmuar nga bota dhe të ngatërruar njëherësh e ka mbushur me bukuri femërore si gorgonat ҫorientuese të Euripidit! Gorgonat të shëronin nga sëmundjet dhe të ҫonin diku larg të mos i ndihje dhimbjet e jetës së përditshme. Kjo grua mban një këngë të vazhdueshme natë dhe ditë brenda buzëve si një monolog i gjatë e i gjatë. Sikur të ҫohej në këmbë monologu mund të cikte diellin. Ajo di ato që ne nuk i dimë, ajo shikon ato që ne nuk i shohim dot, ajo do atë që ne të pakët e kemi; ajo do dashurinë.

Valbona shkon rrugës pa stoli si Rina e De Radës, uji dhe gjethi kanë stolisur atë si një xhubletë veriore. Si Peshina fshatare me bukuri të përbindshme në përshkrimet e Balzakut, lëshon aromë joshje trullosëse. Një kor zogjsh e shoqëron atë në provat gjenerale për një opera të madhe ku molepset fati i natyrës me pushtetin. Valbona është edhe Bovaria e Floberit që dashuron dhe do vetëm të dashurohet, ndryshe vdes nuk bën. Po mes burrave shqiptarë të jesh e bukur do fshikullohesh nga një kamzhik që torturon token dhe gruan.

Nga zanafilla, toka i ngjan gruas dhe gruaja tokës. Tokës duhet ti sillesh si gruas, dhe gruas si tokës. Pse ka kaq pak dashuri brenda burrit shqiptarë për tokën, detin, dhe për lumenjt si Valbona ?! Përtej dramës së Eskilit kapërceu burri shqiptarë me natyrën dhe gruan. Mos këto bukuri lindin dhe rrisin burracakër?! Vetëm Kola e do Valbonën, ai zgjohet herët bashkë me korin e saj për t’ia nisur punës. Të tre si miq të rritur bashkë, si shok fëmijërie kuvendojnë fatin e Valbonës. Ajo nis e para të tregojë trupin e shpuar nga tubacionet dhe kafshimet e ҫakenjëve pushtetarë. 

 ̵I dija mysafirë të mirëseardhur Kolë dhe nuk u rreka të mbrohem. Vetëm kur ndieva dhimbje dhe therje në brinjë, më kishin ngulur dhjetra dhëmb hekuri të prehtë. Pse Kolë ma bënë ktë? Nuk ke as ti një përgjigje?! Përveҫ dridhjes së mjekrrës dhe lotëve të Kolës që bashkohen ҫdo mëngjes me ujrat e Valbonës, nuk ka ҫ’ti thotë ai burrë. 

Advertisement

Shpërfytyrimi i natyrës tregon pafytyrësinë e pushtetit. Impotenca e mendimit shndërron natyrën në kantiere ndërtimi me semantikë të dobët ligji. Nuk ka ligj të mirë aty ku nuk ka frymë të mirë për dashurinë e natyrës dhe dashurinë për gruan. Janë dy këmbë që ecin paralelisht. Aty ku dhunohet natyra dhunohet dhe gruaja. Aty ku dashurohet natyra dashurohet dhe gruaja.

Shkruan: Gena Bakiasi