Valon Bunjaku, basketbollisti që shkruan historinë

Në ligën më cilësore të basketbollit në botë - NBA, janë vetëm 4 basketbollistë të cilët e kanë një rekord të tillë, madje legjenda e basketbollit amerikan Hakeem Olajuwon e kishte bërë këtë dy herë për një edicion garash

164

Në ligën më cilësore të basketbollit në botë – NBA, janë vetëm 4 basketbollistë të cilët e kanë një rekord të tillë, madje legjenda e basketbollit amerikan Hakeem Olajuwon e kishte bërë këtë dy herë për një edicion garash

Ndeshja e javës së 17-të e Superligës së Kosovës në basketboll ndërmjet skuadrave AFK Borea e Z-Mobile Prishtina ka hyrë në historinë e basketbollit kosovar, jo për fitoren e thellë të Z-Mobile Prishtinës me rezultat 140:52, por për një arritje individuale të një basketbollisti, shkruan gazeta “Zëri”.

Fundori i skuadrës nga kryeqyteti Valon Bunjaku, i cili vjen nga Prizreni, ka shënuar një rekord të ri në basketbollin kosovar. Bunjaku ishte i vetmi basketbollist i kësaj ndeshjeje që e zhvilloi krejt ndeshjen, duke qëndruar në parket për 40 minuta, por ai do t’i takojë historisë së basketbollit kosovar, për shkak se në këtë sfidë ai realizoi dyshifror të katërfishtë (21 pikë, 12 kërcime, 21 asistime, 12 topa të vjedhur).

Ky rekord i Bunjakut duket paksa i pabesueshëm, pasi kishte në basketbollin kosovar shumë basketbollistë të huaj, madje të tillë që kanë pasur karrierë edhe në NBA, por që nuk e kishin arritur këtë shifër marramendëse. Nga ana tjetër, në ligën më cilësore të basketbollit në botë – NBA, janë vetëm 4 basketbollistë të cilët e kanë një rekord të tillë, madje legjenda e basketbollit amerikan Hakeem Olajuwon e kishte bërë këtë dy herë për një edicion garash. Së pari kundër Golden State Warriorsit (3 mars 1990) kur kishte realizuar 29 pikë, 18 kërcime, 10 asistime, 11 bllokada; ndërsa më pas edhe kundër Milwaukee Bucks (29 mars 1990): 18 pikë, 16 kërcime, 10 asistime, 11 bllokada. Përveç Olajuwonit, dyshifror të katërfishtë kanë realizuar edhe Nate Thurmond kundër Atlanta Hawks (18 tetor 1974): 22 pikë, 14 kërcime, 13 asistime, 12 bllokada; Alvin Robertson kundër Phoenix Suns (18 shkurt 1986): 20 pikë, 11 kërcime, 10 asistime, 10 topa të vjedhur dhe David Robinson kundër Detroit Pistons (17 shkurt 1994): 34 pikë, 10 kërcime, 10 asistime, 10 bllokada.

Advertisement

Se Bunjaku tashmë ka hyrë në historinë e basketbollit kosovar për rezultatin e arritur e konfirmojnë edhe disa prej njohësve më të mirë të këtij sporti në vend, ndonëse nuk ka statistika të sakta.

Komisari i garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Faton Kurshumlija, i tha gazetës “Zëri” se “me sa e di unë kjo nuk ka ndodhur më herët në basketbollin kosovar”.

Edhe ish-gjyqtari i basketbollit, tash trajner i KB Ponte Prizreni, Arbnor Rifati, thotë se është hera e parë që një basketbollist kosovar i arrin këto shifra, teksa thotë se ndihet shumë krenar për të arriturat e Bunjakut. “Si ish-trajner i tij e vlerësoj si një nga talentet më të ndritur të basketbollit kosovar. Me potencialin që ka Valoni mund ta ndjekë rrugën e Dardan Berishës”, tha për “Zëri” Rifati.

Ndërkohë një prej gazetarëve i cili e përcjell për një kohë të gjatë basketbollin dhe i cili njihet si mbajtës i statistikave, Agon Fehmiu, i tha gazetës “Zëri” se është hera e parë që një basketbollist kosovar arrin këtë rekord. “Edhe mua më duket se kjo është hera e parë që dikush e arrin këtë rekord”, tha Fehmiu.

Nga ana e tij ish-basketbollisti i njohur e tash trajner i gjeneratave të reja, Ismet Ferati, thotë ta ketë përcjellë Valonin qe një kohë të gjatë. “Kam pasur fatin ta njoh Valonin qysh nga viti 2013, ku e kam pasur në kampin Georgetown University në Tivar dhe vitin e kaluar në Reprezentacionin U-20 të Kosovës në Sofje. Lojtari më i mirë i gjeneratës 1998, punëtor i madh, inteligjent, ‘playmaker’ i të ardhmes së basketbollit të Kosovës. Fati i tij është që tani në Prishtinë e ka trajnerin Damir Mulaomerovic, i cili ka qenë ‘playmaker’ kulminant dhe Valoni me të vetëm do të përparojë edhe më shumë”, u shpreh Ferati.