Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar arrestimin e nënkryetarit të Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Zëdhënësi i këtij institucioni të drejtësisë, Christopher Bennett, tha se Haradinaj u arrestua pas një fletarrestimi dhe urdhri për transferim.

“Nasim HARADINAJ u arrestua dje në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Tutje, Specialja ka dhënë edhe detajet mbi arrestimin dhe asistimin në arrestim nga Misioni i Sundimit të Ligjit në Kosovë, EULEX dhe Policia e Kosovës.

“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim”, thuhet tutje në njoftim.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në. Informacion i mëtejshëm do të jepet në kohën e duhur”, ka deklaruar ai.

Dje gjatë ditës, përveç Nasim Haradinajt, në Prishtinë u arrestua edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here