Mbyllet protesta e Aleancës për Teatrin, mbështetur nga opozita

Para pak minutash është mbyllur protesta e Aleancës për Teatrin, e cila zgjati pak më shumë se 2 orë, në mbështetje të së cilës ishte dhe PD- LSI. Në këtë protestë kryefjalë e folësve në tubim ka qenë pretendimi se “në Shqipëri po vendoset diktatura”. Në fjalën e tij përpara protestuesve, si organizator, regjisori Robert Budina ka bërë me dije se qëllimi i kësaj proteste është të hetohet shembja e teatrit, ndërsa ka sqaruar se do të flasin në podium vetëm persona që kanë pasur një lidhje të ngushte me atë godinë, duke premtuar se s’do ketë aspak protagonizëm politik.

“Dua të falenderoj mbështetësit, që kanë besuar tek ne dhe sot pjesëmarrja juaj e tregon qartë se çfarë do të thotë. Sot jemi mbledhur për një qëllim të vetëm. Në mesnatën e dates 17 maj, si çdo ditë, kemi qenë në mbrojtje të Teatrit, organizuam rreth 80 shfaqje falas dhe kemi sjellë trupa nga e gjithë Evropa, e bëm me donacionet e njerëzve, që na ndihmuan ta mbanim gjallë. Dje në orën 04:30, një pjesë e artistëve, u sulmuam nga policia me një aksion blic të paimagjinueshëm. Ftojmë prokurorinë, qeverinë, Ramën, ministrin e Brendshëm, opozitën, prokurorët e SPAK të hetojnë këtë ngjarje që ishte një tentativë për vrasje e artistëve që ishin brenda teatrit. Kemi kontaktuar dhe me ndërkombëtarët dhe kërkuam që të zbardhet kjo ngjarje. Godina nxorri në pah problemet e demokracisë shqiptare”, u shpreh Budina.

Aktori Neritan Liçaj, u shpreh se me shembjen e Teatrit Kombëtar iku një pjesë e rëndësishme e tij. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë kundër qeverisë Rama për ta rrëzuar.

“Në atë skenë krimi ka mbetur zëri im dhe një pjesë e imja që u kalcifikua atje. Ka mbetur pjesa ime më e mirë dhe më e fortë. Dy kufoma politike Rama dhe Veliaj. Ato të dy janë kufoma politike”, u shpreh Liçaj.

Aktori Mehdi Malkaj, në fjalën e tij komentoi se “së pari duhet të vendoset demokracia që të zhduket anti kontrabanda, dhe se kur kryeministri shkel i pari ligjin, kjo është kuje”.

Regjisori, Edmond Budina, nga ana e tij bëri thirrje për mosbindje civile në çdo qytet, teksa u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes pasi në protestë ka dhe sabotator.

“E neveritshme kjo gjë ndodhi. Çdo politikan në çdo lloj krah është i mirëpritur, jo përçarje, jo dhunë. Ne kemi nevojë për zhvillim, duhet të bëjmë një mosbindje civile kudo, të gjithë bashkë. Në Elbasan i bllokuan qytetarët të vijnë, në çdo qytet të protestojnë, nuk na ndalojnë ne që t’i përgjigjemi për të mirën e vendit, është histori shpirti dhe jo përfitim. Presidenti të kërkojë shpërndarjen e parlamentit. Të largohet menjëherë kryetari i Bashkisë, ai kriminel sepse krimi kundrejt kulturës është një nga krimet më të mëdha të njerëzimit. Ata duhet të ikin dhe ne me ndihmën e Evropës do ta rindërtojmë teatrin siç ishte, sepse është simbol i qëndresës qytetare, i pastërtisë njerëzore se asnjëherë se kemi mbrojtur se do merrnin disa tulla apo se do  përfitonim, por sepse e donim. Sdo i ndalojmë protestat”, tha ai./tvsh.al