Turqia dënon fuqishëm planin e Izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor: Vandalizëm modern!

Përmes një komunikate me shkrim të postuar në rrjetin social “Twitter”, Ibrahim Kalin reagoi fuqishëm kundër planit okupues dhe aneksues të Izraelit në territoret palestineze.

“Politika izraelite e okupimit dhe aneksimit është një ftesë për më shumë konflikte dhe përshkallëzim. Izraeli duhet të heqë dorë menjëherë nga veprimet e tij paligjshme dhe bota duhet t‘i thotë ndal këtij vandalizmi modern. Turqia dhe të gjithë ata që kanë ndjenjën e drejtësisë dhe ndërgjegje, do të qëndrojnë pranë popullit palestinez”, shkroi Kalin në “Twitter” lidhur me planet e fundit të Izraelit për të aneksuar dhe pushtuar më tej Bregun Perëndimor.

Ai vuri në pah se çdo hap drejt ndryshimit të statusit ligjor, fetar dhe historik të Jerusalemit do të ishte lojë me zjarrin.

“Siç është shprehur edhe Presidenti ynë, Recep Tayyip Erdogan, Jerusalemi është vija jonë e kuqe. Ne i ftojmë të gjithë njerëzit e drejtë dhe të ndërgjegjshëm që të bashkohen kundër vandalizmit modern të Izraelit. Kujtojmë përsëri se pushtimi, mohimi dhe politikat e aneksimit nuk do të sjellin paqe, qetësi dhe siguri për askënd, përfshi këtu edhe qytetarët izraelitë”, tha zëdhënësi presidencial turk duke shtuar se çdo plan që injoron ekzistencën dhe vullnetin e popullit palestinez në përpjekje për t’i bërë peshqesh (Izraelit) Jerusalemin dhe territoret palestineze, është i paligjshëm.

“Nuk ka asnjë rëndësi dhe vlerë se kush i bën e mbështet këto plane. Si Turqi, nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, ne do të vazhdojmë të jemi pranë popullit palestinez në kauzën e tij të drejtë”, theksoi ai mes të tjerash./trt